Eurostat: Temperaturat rekord në Evropë në 2022-shin çuan në më shumë se 61 mijë vdekje
2023-07-13 16:13:06

Foto nga VCG

Verën e kaluar në Evropë u regjistruan më shumë se 61 mijë vdekje për shkak të motit të nxehtë. Një grup ekspertësh ndërkombëtarë të shëndetit publik kanë përgatitur një hulumtim duke përdorur të dhënat e Entit Evropian të Statistikave (Eurostat) dhe ku janë ekzaminuar të dhënat e vdekjeve nga moti i nxehtë, të regjistruara në 35 vende të Evropës midis 30 majit dhe 4 shtatorit 2022.

Sipas hulumtimit, numri i vdekjeve është rritur në Evropën Jugore, ku janë regjistruar temperatura anormale dhe ku u përjetuan ditët më të nxehta të verës.

Në hulumtim thuhet se temperaturat mesatare në Evropë në verën e vitit 2022 kanë tejkaluar matjet e 30 viteve të mëparshme dhe se 11.637 persona kanë vdekur vetëm në datat 18-24 korrik, kur janë regjistruar temperaturat më të larta, shkruan “ATSH”.

Sipas të dhënave, 61.672 persona kanë humbur jetën për shkaqe të lidhura me nxehtësinë në Evropë nga data 30 maj deri më 4 shtator 2022. Numri më i lartë i viktimave është regjistruar në Itali, Greqi, Spanjë dhe Portugali.

Temperaturat janë rritur me 1.1 gradë në mbarë botën për shkak të ngrohjes globale dhe ekspertët shprehin shqetësimet e tyre se kjo rritje do të vazhdojë.

Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) njoftoi më 10 korrik se temperaturat e sipërfaqes së detit arritën nivele rekord në maj, qershor dhe korrik dhe se të dhënat e temperaturës në muajt e fundit do të rriten më tej me efektin e fenomenit El-Nino. (Elona)