
CFP
Udhëheqësit e vendeve të NATO-s thanë se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të një rëndësie strategjike për aleancën dhe konfirmuan përkushtimin e tyre për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni. Në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë, ata thanë se i mbështesin reformat që i forcojnë aspiratat e vendeve të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, shkruan “Panorama”.
“Ne do të vazhdojmë ta përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik, me qëllim të mbështetjes së reformave, të paqes dhe të sigurisë rajonale dhe kundër ndikimeve keqdashëse, përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike”, -thanë liderët e Aleancës.
Ata vlerësuan se Ballkani Perëndimor kërkon vëmendje dhe përkushtim të vazhdueshëm nga NATO-ja dhe komuniteti ndërkombëtar për t’u përballur me këto sfida.
“Vlerat demokratike, shteti i së drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të një rëndësie jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik. Ne presim përparim të vazhdueshëm në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve të 31 vendeve të NATO-s.
Ata i bënë thirrje Serbisë, e cila ka status neutral sa u përket aleancave ushtarake, që të angazhohet në mënyrë konstruktive me NATO-n dhe fqinjët e saj. (Elona)
