Dy nismëtarë të Festivalit të Teatrit "Mini Prism" Wang Xiaoying (majtas) dhe Wang Xiaomei (djathtas) / foto nga "China Daily"
Artistët e rinj të teatrit shpresojnë që fillimi i karrierës së tyre të jetë me këmbë të mbarë dhe kjo ndjenjë është perceptuar nga regjisori Wang Xiaoying, ish-zëvendësdrejtori ekzekutiv i Teatrit Kombëtar të Kinës dhe ish-zëvendësdrejtor i Shoqatës së Teatrit të Kinës. Në vitin 2019, ai bashkinicioi Festivalin e Teatrit “Mini Prism”, duke ofruar mundësi për aktorët e ardhshëm dhe regjisorët e rinj të vënë në skenë veprat e tyre. Këtë vit, festivali, në edicionin e tij të pestë, u zhvillua në Langyuan Vintage, një zonë kulturore dhe artistike, në Distriktin Qendror të Biznesit të Pekinit. Katër ambiente teatrore po vënë në skenë afro 40 shfaqje dhe më shumë se 10 seminare gjatë ditëve të eventit kulturor.
“Festivali mirëpret artistët e rinj të teatrit, duke përfshirë studentët e shkollave të artit. Ata mund të sjellin ose shfaqjet e tyre origjinale ose përpunimin e historive klasike”,- deklaroi Wang, i cili jep mësim në shkollat më të mira të artit kinez, duke përfshirë Akademinë Qendrore të Dramës në Pekin dhe Akademinë e Teatrit të Shangait. Ai është gjithashtu drejtor artistik i Festivalit të Teatrit “Mini Prism”.
“Çdo vit, ne befasohemi nga talentet e rinj të teatrit që i bashkohen festivalit me veprat e tyre novatore dhe eksperimentale. Nuk ka kufizime në vizionin apo përmbajtjen artistike”,- tha Wang.
Ai theksoi se për t'i parë të gjitha ngjyrat veçmas, përdoret një prizëm, i cili funksionon sepse ngjyrat e ndryshme të dritës udhëtojnë me shpejtësi të ndryshme brenda xhamit. Sipas tij, festivali u emërtua “prizëm”, sepse besohet se jeta është plot ngjyra dhe artistët e rinj të teatrit i shpalosin ngjyrat përmes veprave të tyre.
Një nga shfaqjet që do të vihet në skenë gjatë festivalit titullohet “Rose”, një vepër origjinale e shkruar dhe drejtuar nga Li Jiaxuan. Ai mori pjesë në Festivalin e Teatrit “Mini Prism” në vitin 2021 dhe rikthehet tashmë me një prodhim të ri për ngacmimet në internet. Katër aktorë të rinj luajnë 11 role në produksion, i cili përmban edhe elemente të teatrit fizik.
“Ka shumë informacione në lidhje me këtë temë. Ngacmimi në internet ndonjëherë mund të çojë edhe në vdekje. Është vërtet tronditës. Ajo që duam të diskutojmë me këtë veprër është se si ngacmimi në internet mund të ndodhë me këdo, sepse mund të jetë më e lehtë për t'u kryer sesa akte të tjera të bullizmit”,- deklaroi Li.
Aktorë të rinj bënë provë për shfaqjen origjinale "Rose" në Festivalin eTeatrit "Mini Prism" / foto nga "China Daily"
Këtë vit, rreth 82 teatro dhe trupa të artit skenik kanë paraqitur rreth 100 vepra teatrale. Festivali gjithashtu ofron mbështetje financiare për artistët e rinj pjesëmarrës. “Ajo që të gjithë artistët e rinj të teatrit kanë të përbashkët është pasioni dhe krijimtaria e tyre. Ajo që ne përpiqemi të bëjmë është t'i ndihmojmë ata të lidhen me audiencën dhe të mësojnë se si funksionon kjo punë”,- tha Wang Xiaomei, drejtuese në Teatrin Kombëtar të Kinës, që bashkinicioi festivalin e këtij viti.
Asaj i lanë përshtypje temat e diskutuara në punimet e paraqitura nga të rinjtë, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë temash, si martesa, marrëdhëniet mes familjarëve dhe fëmijët e braktisur.
“Kemi parë se sa shumë kanë punuar të rinjtë për të mbajtur gjallë punën dhe ëndrrat e tyre në teatër dhe vërtet duam t'i mbështesim ata”,- tha Wang.