Foto nga China Daily
Kompozitori francez Laurent Petitgirard më fund përfundoi kërkimin 53-vjeçar për të krijuar një dramë muzikale të një romani klasik kinez. Në vitin 1966, për ditëlindjen e tij të 16-të, vëllai i madh i kompozitorit i dha atij një kopje të romanit klasik kinez, “Udhëtim në Perëndim”. Petitgirard ishte i magjepsur. Ai e lexoi romanin me një frymë dhe iu rikthye disa herë, duke ndezur idenë për ta shndërruar në muzikë, një nismë që mori 53 vite për t’u vënë në jetë.
“Fillimisht më duhej të përfundoja rrugëtimin tim si kompozitor përpara se të zhytesha në krijimin e muzikës për të shoqëruar odisenë e murgut Xuanzang”,-deklaroi 73-vjeçari Petitgirard, i cili ka lindur në Paris dhe ka studiuar piano dhe kompozim që fëmijë.
“Udhëtimi në Perëndim”, nga shkrimtari Wu Cheng'en i dinastisë Ming (1368-1644), flet për aventurat e murgut Xuanzang të dinastisë Tang (618-907) dhe tre dishepujve të tij - shpirtrat e kafshëve Sun Wukong, Mbreti Majmun, Zhu Bajie dhe Sha Wujing - në udhëtimin e tyre për të marrë shkrime të shenjta budiste.
Në fillim të vitit 2019, pasi takoi balerinë-koreografen kineze Wang Yabin në Paris, Petitgirard vendosi mos të priste më dhe filloi të kompozonte.
Bashkëpunimet ndërkombëtare kanë qenë një forcë nxitëse në projektin “Yabin dhe miqtë”, të cilin Wang e nisi në vitin 2009. Për shembull, ajo bashkëpunoi me koreografin Sidi Larbi Cherkaoui nga Belgjika në “Genesis”, në vitin 2013, dhe me koreografen Elizabeth Roxas-Dobrish nga Teatri Amerikan i Vallëzimit “Alvin Ailey” në “Dream in Three Episodes”.
Petitgirard e pa në televizion “Genesis” të Wang dhe, pasi pa veprën koreografike të Wang, “Swan - A Different Story”, në Lucern, Zvicër, ai tha: “Ky ishte konfirmimi që Yabin është një koreografe e madhe dhe një artiste e klasit të parë”.
Duke punuar me Petitgirard, Wang realizoi koreografinë e një pjese baleti, të titulluar “Udhëtim në Perëndim”, e cila do të shfaqet premierë në edicionin e 14-të të projektit “Yabin dhe miqtë”, në qytetin e lindjes së Wang, Tianjin.
“Më bëri përshtypje ideja e Petitgirard dhe së shpejti vendosëm të punonim së bashku”,- tha Wang, duke shtuar se Dong Qiang, një studiues dhe përkthyes i njohur, i cili është dekan i Akademisë Yenching të Universitetit të Pekinit dhe kryetar i Departamentit francez të Shkollës së Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Pekinit, e prezantoi atë me Petitgirard. Dong shërben si konsulent i letërsisë në projektin e baletit.
“Unë u rrita duke lexuar “Udhëtim në Perëndim”, duke parë filmin e animuar dhe dramën televizive të përshtatur nga romani klasik. Shumë kinezë janë të njohur me historinë, por më intrigoi vërtet se si një lexues i huaj do ta interpretonte historinë”,- tha Wang.
“Qëllimi im ishte të shkruaja muzikë për një balet, duke shprehur poezinë e tekstit origjinal dhe duke përcjellë lartësimin shpirtëror të arritur duke u përballur me sprovat e përshkruara”,- tha Petitgirard. Pjesa muzikore simfonike 85-minutëshe përbëhet nga tre pjesë. Në pjesën e parë, kompozitori fillon me një pjesë të titulluar “Xuanzang ka një ëndërr dhe niset në udhëtimin e tij”, ku portretizon dishepujt e tij me më shumë pjesë. Ai përshkroi gjithashtu personazhin Guanyin, e cila është një perëndeshë e mëshirës në roman.
“Sigurisht, Sun Wukong, rebeli, është magjepsës, ndoshta më shumë se Xuanzang, i cili është i përsosur. Por mos harroni perëndeshën Guanyin, e cila është gjithmonë e pranishme për të ndihmuar.
Yabin është Guanyin-i im”,- tha kompozitori, duke shtuar se në orkestër janë pesë perkusionistë dhe ai zgjodhi të përdorte pjata kineze.
“Pas kësaj vepre, bazuar në librin përrallor, ndihem paksa kinez”,- theksoi Petitgirard, i cili ka punuar me kompozitorin kinez Chen Qigang si dirigjent.
Petitgirard udhëtoi për në Hungari ku drejtoi Orkestrën Simfonike Hungareze të Budapestit për regjistrimin e “Udhëtim në Perëndim” në tetor 2021.
“Dëgjova pjesën dhe është plot imagjinatë. Kur fillova të bëj koreografinë, u përpoqa të kap frymën e romanit duke e treguar historinë përmes syve të Sun Wukong. Edhe pse është një roman klasik, pjesa e baletit është bashkëkohore”,- tha Wang, duke shtuar se në koreografinë e saj ka përdorur elemente të arteve marciale dhe operave tradicionale kineze.