150 vjet histori e fotografisë shqiptare
2023-07-12 14:38:16

Historia, etnografia, magjia, bukuria, propaganda dhe estetika bëhen bashkë në albumin  studimor  “Historia e Fotografisë Shqiptare 1865-2000” me autor studiuesin Ermir Nika, që tregon përmes imazheve historinë e fotografisë shqiptare.

Ky libër sjell historinë e fotografisë shqiptare përmes imazhit, histori e cila shërben si burim krenarie për artin shqiptar, duke pasur parasysh kohën kur lindi.

Fotot e prezantuara në libër, janë në fakt fotot thelbësore që zbulojnë portrete, peizazhe, etnografi, momente që rrëfejnë Shqipërin;ë në një shekull e gjysmë përmes imazhit, në 234 faqe studime të ilustruara.

Dy dekada e gjysmë, pasi bota kishte njohur 1839-ën, si vitin zyrtar të shpikjes së imazhit  dhe francezin, Louis Daguerre, e kishte njohur si krijues të saj, në Shqipëri nisi të prodhoheshin fotografitë e para. Kjo ndodhi në Shkodër, në studion e italianit Pietro Marubi, i cili luan një rol mjaft të rëndësishëm në këtë proces.

Historia e fotografisë shqiptare në këtë botim vjen e konceptuar në tre pjesë; pjesa e parë 1865-1900; pjesa e dytë 1900-1945 dhe pjesa e tretë 1945-2000.

Në fazën e parë, fotografia shqiptare konsiston në prezantimin e tematikave prezantuese mbi fenomenin: si p.sh lindjen e fotografisë; dritëshkronjat e para në Shkodër nga Pietro Marubbi dhe Kolë Idromeno, fotografët e huaj në shekullin e XIX, ambiciet artistike të fotografisë dhe dialogu me pikturën.

Siç rrëfen autori i librit, të parat fotografi në studion Marubi, realizoheshin në natyrë në hije, ndërsa aparatet e parë ishin gjermanë a francezë në përmasat 30 cm me 40 cm. Ndonëse subjektet e para i takonin shtresave të larta e asaj çka zgjonte interes tek fotografët, magjia e ndaljes në kohë të një imazhi a momenti po i tundonte në atë periudhë të gjithë. Fotografia me nuancat e saj herë orientale e herë të tjera perëndimore po sfidonte portretet e autoportret në pikturë...

Studio Marubi, u shndërrua në gjysmën e parë të shekullit XX në një shkollë fotografie, e prej saj mori shtysë çelja e disa studiove të tjera në Shkodër. Ndërkaq po dokumentoheshin edhe qytetet e tjera e në vitet ‘30-40 fotografinë e gjejmë në periodikë e kartolina. Albanologë, diplomatë, reporterë  e të tjerë, udhëtarët e huaj, siç rrëfen Hoxha edhe përgjatë kësaj periudhe jetësonin impresionet e tyre në imazhe.

Pjesa e dytë trajton formatin artistik të fotografëve të shquar shqiptarë si Kel Marubi e Kristaq Sotiri, shpërndarja e studiove fotografike stimuluar prej zhvillimeve të teknologjike dhe botimeve, si dhe ato fotografë që e zhvilluan karrierën e tyre jashtë atdheut, si Gjon Mili e Dhimitër Mborja.

Ndërkohë që pjesa e tretë nis me realitetin e  pasluftës dhe shtetëzimin e studiove, për t’u përqëndruar në fotografinë e angazhuar, imazhin e fotografisë me ngjyra dhe retushimin si mjet modifikimi. I gjthë libri mbyllet me fotoreporterët e huaj që fokusojnë imazhet dramatike të shqiptarëve të viteve ’90, te fotografitë artistike të viteve ’90 e deri tek konkursi i fotografisë Marubi.

Për pjesën më të madhe të studiuesve, periudha e artë e fotografisë konsiderohet gjysma e parë e shekullit të XX, ajo që në libër konsiston në pjesën e dytë të tij.

Në këtë periudhë morën formë krijimtaritë e fotografëve të shquar si Kumi, Ristani, Xhufka, Fusha, Tërpini, Nënshati, etj, që i dhanë identitet një periudhe të dominuar sa nga klishetë e kohës, aq edhe nevoja për një imazh lirik ndryshe.

Ndërkohë periudha përmbyllëse është ajo kur fotografët u cliruan nga kufizimet e kohës dhe nisën të shpalosin forcën e tyre estetike, në nivele të reja, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë periudhë spikasin emra si  Leon Çika, Albes Fusha, Feliks Bilani, Roland Tasho, Alqi Golloshi, Fahredin Spahija nga Kosova e të tjerë , që japin një japin një kontribut të rëndësishëm.

Neritana Kraja