Sokol Guga gjate nje emisioni televiziv (Facebook)
Producenti dhe prezantuesi i njohur Sokol Guga do të sjellë për publikun spektaklin “Bailamos”(Vallëzojmë), me pjesëmarrjen e kërcimtarëve nga vende të ndryshme të Europës. Gjatë netëve të spektaklit të vallëzimit do të ngjiten në skenë emrat më të njohur të muzikës shqiptare, të cilët do të performojnë për të pranishmit. Në intervistë për Radio Ejani Sokoli tregon surprizat e këtij spektakli, që do të transmetohet në muajin shtator në Klan Plus dhe Klan Macedonia.
Sokol Guga ne interviste per CMG
CMG: Si lindi ideja për të organizuar një spektakël me në fokus vallëzimin?
Sokol Guga: Kisha vite që e mendoja një program të tillë. “Bailamos” është një spektakël me vallëzim ku ne të gjithë do të kërcejmë në datën 9 shtator gjatë transmetimit nga Durrësi në televizionin kombëtar Klan Plus dhe Klan Macedonia. Sigurisht programi nuk do të përmbajë vetëm vallëzim, që është kryefjala e këtij formati, por do të jenë edhe 20 artistë nga Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të cilët janë të ftuar, emrat më të mirë të muzikës shqiptare. Pjesë e programit do të jenë edhe intervistat me njerëz të njohur, do të ketë sfilatë mode, pra një spektakël i cili do të përmbledhë disa zhanre në një format, dhe në datat 9, 16, 23 dhe 30 shtator do të jemi çdo të shtunë në orën 21.00 në ekranin e televizionit kombëtar Klan Plus dhe Klan Macedonia.
CMG: Si arritët t’i sillnit në spektakël kërcimtarët nga vende të ndryshme të Europës?
Sokol Guga: Janë gati 22 shtete europiane që marrin pjesë në spektakël dhe kjo ishte një dëshirë e hershme e imja që të bëja një format me kërcime dhe me kërcimtarë profesionistë dhe mos të marr patenta të gatshme. Ne arritëm që këtë patentë ta shpikim vetë dhe t’i gjejmë këta artistë që do të vijnë nga Europa dhe do të performojnë në “Bailamos”. Ky është një format impenjativ sepse ka shumë staf në organizim, ka shumë teknikë, ka shumë artistë të ftuar, jo vetëm këngëtarë por edhe kërcimtarë, të cilët përbëjnë komponentët kryesorë të një produksioni të suksesshëm.
Sokol Guga (Facebook)
CMG: Ky spektakël do të japë çmime për kërcimtarët apo do të jetë vetëm një format argëtues?
Sokol Guga: Spektakli është argëtues, nuk ka garë dhe as çmime mes kërcimtarëve apo këngëtarëve. Ky format nuk ka juri, por është argëtues për të gjithë të pranishmit që do të jenë në spektakël.
CMG: Cilat janë disiplinat që kërçimtarët pjesëmarrës do të performojnë në skenë?
Sokol Guga: Kërcimtarët do të vijnë në dy disiplina standarde latine. Përzgjedhjen e kanë bërë ata, ku do të vijnë me perfomanca të ndryshme nga njëri-tjetri. Jnë 22 shtete që do të marrin pjesë, ku kërcimatërt nga Polonia do të jenë të ftuar specialë. Mezi por presim sepse do të kënaqemi shumë në “Bailamos”, jo vetëm ne por edhe ata që do e ndjekin nëpërmjet televizionit.
CMG: Ju gjithmonë keni marrë përsipër të organizoni spektakle të mëdha. Cilat kanë qenë sfidat në organizimin e këtyre spektakleve?
Sokol Guga: Unë hyj tek ata njerëz që nuk i trembem vështirësive dhe presioneve. Unë nëse ndërmarr diçka do ta çoj deri në fund, ndaj si çdo punë që ka pengesat e veta gjatë proçesit që realizohet, por në fund të ditës unë ja dal.
Sokol Guga dhe Albert Dumani (Facebook)
CMG: Cilët do të jenë këngëtarët që do të performojnë në spektakël?
Sokol Guga: Do të jetë muzikë qytetare e përpunuar dhe këngëtarët e ftuar janë më të njohurit si Liri Rasha, Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Valbona Halili, Eranda Libohova, Jusi Sinanaj, Megi Laska, Renato Jaho, Artan Kola, Amarda me Muharrem Ahemetin që do të ndezin këtë spektakël, pra janë këngëtarë shumë të mirë. Ne do ta nisim me këngëtarët më të rinj natën e parë dhe do të përfundojmë tek ata më me eksperiencë.
CMG: Kush do ta moderojë spektaklin?
Sokol Guga: Formatin do ta drejtoj me drejtorin e programacionit të televizionit kombëtar Klan. Pra do të jetë Albert Dumani së bashku me mua në skenë për ta moderuar këtë spektakël. Kënaqësi e madhe të jesh në krah të Bertit sepse ai është një profesionist dhe një idhull i imi, sepse ne ndiqnim spektaklet e dikurshme “Netë vere”, që ai bënte në TV Klan. Jam shumë i lumtur që do të jem me Bertin sepse është një mbështetje shumë e madhe për mua në këtë realizim spektakli. Ai është marrë me realizimin e skenarit në këtë spektakël, dhe kur të fuqishmit bashkohen gjithnjë prodhohet sukses.
Sokol Guga me miqt e tij gjate nje spektakli (Facebook)
CMG: Keni një bashkëpunim të përhershëm me televizionin kombëtar Klan Plus, ku besoj se suksesi ka qenë i garantuar.
Sokol Guga: Një falenderim shumë të madh dua të bëj për presidentët e saj Z.Aleksandër Frangaj me bashkëshorten Alba Frangaj, të cilët e kanë çuar televizionin në një standard të jashtëzakonshëm me televizionet në perëndim dhe në botë. Është një lehtësim i madh të punosh me televizionin kombëtar Klan Plus dhe Klan Macedonia, një infrastrukturë moderne e ndërtuar nga ata, të cilët ne artistëve dhe regjisorëve na i kanë lehtësuar punët për të bërë gjëra të bukura dhe të mëdha. Unë jam shumë i lumtur që punoj me ta dhe që jam vlerësuar nga ata. Gjithashtu dua të falenderoj edhe administratoren e Klan Plus dhe Klan Macedonia Eglantina Lanaj e cila më ka hapur derën dhe më ka thënë, Sokol ja ku e ke shtëpinë tënde dhe fillo me krijimtarinë tënde. Jam i bekuar që punoj me ta.
CMG: Pse do të jetë katër netë ky spektakël?
Sokol Guga: Kjo është dhe një sfidë që kam vendosur të bëj me veten time, që këtë herë të vij në ekranin e televizionit me një format të shtrirë në kohë. Mua më pëlqen të sfidoj veten.
CMG: Cilat janë projektet tuaja në vazhdim pas “Bailamos”?
Sokol Guga: Mbas “Bailamos” ne do të pushojmë për të marrë energjitë e reja për spektaklin “Krishtlindje në Tiranë”, ku edicioni i 9-të do të jetë në TKOB, dhe do të kemi shumë surpriza si dhe të ftuar special që do të vijnë nga jashtë.
Intervistoi: Gazmend Agaj