Student i UBT (Foto UBT)
Qeveria ka marrë masa me nisma të ndryshme për të nxitur studentët të orientohen drejt degëve prioritare dhe ku ka nevojë vendi për punëtorë. Një ndër këto nisma është dhe mbështetja që duhet t’u jepet studentëve që zgjedhin degët me interes pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Kështu tarifa do të jetë zero për ndjekjen e studimeve dhe shteti do të japë çdo muaj pagesë 40 mijë lekë, si një pagë minimale.
Në një intervistë për Radio Ejani, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Rektor i UBT thotë se çdo maturant i cili do të përzgjedhë të studiojë në Agronomi, Zooteknikë, Peshkim, Inxhinieri pyjesh, Mbrojtje bimësh, Hortikulturë dhe një gamë programesh, do të përfitojë këtë mbështetje financiare.
“Universiteti Bujqësor është në fazën e promovimit të programeve të tij mësimore me qëllim bërjen të ditur të informimit të maturantëve dhe lidhjen me programet mësimore që ky universitet ofron dhe përfitueshmërine dhe mbi të gjitha vlerat që kjo diplomë mbart. Fatmirësisht javën e shkuar qeveria shqiptare, miratoi ndryshimet në VKM-në e përfitueshmerisë së kësaj mbështetje financiare dhe UBT si universiteti kryesor që ofron programe mësimore në një fushë të sektorit që është nga më të rëndësishmet për ekonominë e vendit, ka numrin më të madh të këtyre programeve. Aktualisht çdo maturant, i cili do të përzgjedhë të studiojë, në Agronomi, Zooteknikë, Peshkim, Inxhinieri pyjesh, Mbrojtje bimësh, Hortikulturë dhe një gamë programesh, do të përfitojë këtë mbështetje financiare e barabartë me vlerën e pagës minimale në Shqipëri për rreth 40 mijë lekë në muaj. Kjo besoj është një ndër ndihmat apo iniciativat më të mëdha që qeveria shqiptare ka ofruar ndonjëherë për çdo të ri që preferon të studiojë në këto programe”, u shpreh rektori
Rektori i UBT Fatbardh Sallaku (gazeta shqip)
Universiteti Bujqësor është ndër të vetmit që njihet jashtë Shqipërisë.
“Por jo vetëm kaq, UBT është ndër universitetet që ofron diplomat më cilësore për sa i përket kompetencave profesionale në fushën e Bujqësisë, Mjekësisë veterinare, Pyjeve, Bioteknologjisë, Mjedisit, Mbrojtjes së bimëve dhe shumë programe të tjera mësimore. Por përveç mbështetjes financiare, e cila është shumë e rëndësishme në këtë fazë ky universitet, nga mënyra e organizimit, nga tradita, nga historia që mbart, ofron diploma vërtetë me vlerë, të cilat çdo i ri, çdo student që diplomohet nga ky universitet e ka nesër si një mjet, si një aset dhe një vlerë e shtuar në background e tij. Është ndër universitetet, i cili aktualisht ofron pesë diploma duale në Universitetin e Viterbos në Itali, që do të thotë që çdo i ri që studion në këto pesë programe që ne ofrojmë për këtë vit akademik në përfundim të diplomimit do marrë diploma nga Universiteti i Viterbos në Itali dhe nga UBT dhe e njëjta gjë dhe për studentët italianë. Përveç kësaj UBT është në fazën që ka realizuar një marrëveshje strategjike me Universitetin Boku të Vjenës që nënkupton faktin që në harkun kohor të pesë viteve, Universiteti i Vjenës do të marrë të gjithë kompetencat për sa i përket ristrukturimit dhe reformimit total të ofertës akademike, kërkimore, transferimit të teknologjive.”- tha rektori Sallaku.
Bujqësia është sektor prioritar në vend dhe si i tillë parashikimet janë për mundësi të shumta punësimi.
“Këto faktorë duke u bazuar tek mbështetja financiare, për mbi të gjitha tek mundësitë e punësimit që të ofrojnë këto profesione, i bëjnë këtë programe shumë të kërkuara dhe favorizuara për çdo maturant, i cili po mendon për të përzgjedhur një program studimi. Unë dëshiroj t’i bëj thirrje çdo maturanti, çdo prindi, çdo të riu që ta konsiderojë UBT jo vetëm si një institucion që merr dije në fushën e bujqësisë, por mbi të gjitha si një institucion që siguron diplomat më cilësore në vend, për sa i përket këtyre kompetencave profesionale. Sektori i bujqësisë, aktualisht në Shqipëri dhe për shumë vite më radhë për 10 apo 30 apo 50 vitet e ardhshme është dhe konsiderohet sektori më i rëndësishëm ekonomik në vend së bashku me sektorin e turizmit. Ky sektor ka nevojë për të diplomuar në këtë fushë çka konfirmon faktin e gjetjes së punës në një kohë shumë të shkurtër për çdo të ri që diplomohet këtu”, theksoi ai
UBT (ATSH)
Statistikat e punësimit janë mjaft motivuese nësë del nga auditoret e këtij universiteti.
“Të dhënat tona të mbështetura në disa studime, konfirmojnë faktin se një i ri që është diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës mund të gjejë punë për një periudhë nga 3 deri në 4 javë, krahasuar me të rinjtë që diplomohen në disa profesione të tjera, ku koha e pritjes për të gjetur punë minimalisht është nga 9 muaj deri në një vit. Kjo konfirmon faktin edhe njëherë se çdo i ri që diplomohet në këto degë që janë prioritare kanë shumë favore përveç mbështetjes financiare që e përsëris dhe njëherë është shumë e konsiderueshme sepse një student në UBT që studion në këto programe nuk ka nevojë të paguajë, por përkundrazi do të paguhet do të mbështetet financiarisht nga qeveria shqiptare, në vlerën prej 40 mijë lekësh, të barabarta me vlerën e pagës minimale dhe nuk do të paguajë tarifë regjistrimi, çka janë mbështetje financiare për çdo të ri i cili pretendon të studiojë dhe të jetojë në Tiranë.”
Rektori i UBT i bën thirrje maturantëve të mos e humbin këtë mundësi studimi me prosperitet për të ardhmen.
“Edhe një herë unë kam dëshirë të ftoj çdo maturant t’i bashkohet universitetit bujqësor, të mendojë seriozisht për të ardhmen e tij, t’i japi vlerë studimeve të tij, sepse bëhet fjalë për një universitet që ka kampusin më të mirë në vend, ka stafin akademik më cilësor, ku gjysma e tij është e diplomuar dhe e doktoruar jashtë. Ka stafin më miqësor me studentet ka infrastrukturën laboratorike më moderne dhe që është bashkëkohore dhe në bashkëpunim me shumë universitete në BE dhe mbi të gjitha ofron diploma të cilat sot dhe në vitet në vazhdim i duhen tregut, i duhen fermerit shqiptar, i duhen ekonomisë shqiptare. Çdo i ri është i mirëpritur në këtë universitet. Shpresoj shumë që këtë vit ne të shohim sa më shumë të rinj të interesuar për këtë fushë.”-thotë Sallaku.