Greqia në pritje të ditëve përvëluese me 45 gradë
2023-07-12 15:26:00

Foto nga VCG

Prej ditës së premte, Greqia pritet të përjetojë temperatura që parashikohet të arrijnë mbi 40 gradë në disa zona të vendit. Sipas Shërbimit Meteorologjik, në Athinë, temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 45 gradë Celsius të shtunën.  

Autoritetet greke ftojnë banorët dhe turistët të jenë të kujdesshëm dhe rekomandojnë shmangien e sforcimeve të rënda fizike, përcjell “ATSH”.  

Shumë qytete dhe bashki do të hapin salla me ajër të kondicionuar për publikun, ku njerëzit mund të marrin veten nga vapa.  

Disa sindikata kanë kërkuar që të premten të shpallet ditë pushimi për shkak të vapës, por qeveria ende nuk ka vendosur për këtë çështje.  

Njerëzit inkurajohen të punojnë nga shtëpia nëse është e mundur.  

Punëdhënësve u është kërkuar që mos të kërkojnë që punëtorët e tyre të kryejnë punë të rënda fizike në ambiente të jashtme.  

Sinoptikanët nuk mund të thonë ende se sa do të zgjasë vala e të nxehtit, megjithatë, ata kanë frikë se temperaturat e larta mund të zgjasin deri në 10 ditë. (Elona)