Hungaria: Ratifikimi i aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO është vetëm çështje teknike
2023-07-12 11:16:42

Foto nga VCG

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, deklaroi se ratifikimi i aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO është vetëm çështje teknike. Deklarata vjen pasi Turqia ra dakord të lejojë shtetin nordik që të bashkohet me aleancën ushtarake, përcjell “Panorama”.  

Të hënën, Turqia u pajtua që të lejojë Suedinë që t’i bashkohet NATO-s, duke u mundësuar aleatëve që të shfaqin unitetin e tyre, në një samit që i kushtohet kryesisht forcimit të mbështetjes për Ukrainën në konfliktin me Rusisë.  

Hungaria dhe Turqia janë anëtarët e fundit të NATO-s që nuk e kanë ratifikuar ende pranimin e Suedisë në aleancë.  

Parlamenti i Hungarisë përfundoi seancën e tij të jashtëzakonshme verore të premten, por mund të thërrasë një mbledhje të re në ditët në vijim për të vazhduar me votimin.  

Kryeministri Viktor Orban përsëriti javën e kaluar se Hungaria mbështet aplikimin e Suedisë.  

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm si me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s ashtu edhe me Turqinë. Nëse shohim se kemi diçka për të bërë, do ta bëjmë. Hungaria nuk njihet për zvarritje nëse duhet të marrim një vendim”, tha ai.  

Turqia e kishte bllokuar aplikimin e Suedisë në aleancë, duke e akuzuar Stokholmin zyrtar se strehon aktivistët kurdë që Turqia i konsideron terroristë. (Elona)