Zgjerimi i NATO-s në Azi-Paqësor kundërshtohet nga shumë palë
2023-07-12 16:57:42

Të martën në Lituani u hap samiti i NATO-s. Përveç temës thelbësore, që është situata në Ukrainë, liderët e Japonisë, Koresë së Jugut, Australisë dhe Zelandës së Re morën pjesë në samitin e NATO-s për vitin e dytë me radhë. Tema e zgjerimit të Aleancës në Azi-Paqësor ka tërhequr vëmendjen e madhe të opinionit publik ndërkombëtar. Sipas njoftimit të medieve japoneze, për shkak të kundërshtimit të Francës, u shty pas vjeshtës plani për vendosjen e zyrës së ndërlidhjes të parë të Aleancës në Azi, pikërisht në Japoni. Sipas analistëve, nën drejtimin e ShBA-së, nuk do të ndryshojë vullneti i zgjerimit të NATO-s në Azi-Paqësor.

Kohët e fundit, shumë banorë në Japoni dhe Korenë e Jugut kanë protestuar kundër zgjerimit të NATO-s në Azi-Paqësor. Ish-kryeministri australian Paul John Keating publikoi një deklaratë, ku kritikoi "zgjerimin provokues të NATO-s drejt Lindjes" në Azi, "duke eksportuar helmin e luftës mes njëri-tjetrit në Azi". Drejtori i Qendrës së Studimeve Kinë-ASEAN të Institutit të Menaxhimit "Panyapiwat" në Bangkok Tang Zhimin vuri në dukje se vendet e ASEAN-it janë gjithmonë të shqetësuara për ndërhyrjen e NATO-s në Azi.

Në fakt, brenda NATO-s ekzistojnë zëra kundër zgjerimit. Për shembull, presidenti i Francës Emmanuel Macron ka thënë se NATO-ja ka "vdekje truri" dhe ka kundërshtuar në mënyrë të qartë vendosjen e zyrës së ndërlidhjes në Japoni. Funksionarët francezë theksuan se NATO-ja është "Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut", që mbron ShBA-në dhe Europën, prandaj nuk është e përshtatshme që të vendoset zyra e ndërlidhjes në Azi-Paqësor. Këta zëra racionalë ia vlen të dëgjohen prej vendeve anëtare të NATO-s.

Azi-Paqësori është rajoni i bashkëpunimit dhe zhvillimit, nuk është fushë shahu e konkurrencës mes fuqive të mëdha. NATO-ja thotë se kërkon të kopjojë "përvojën e Evropës" në Azi-Paqësor, por në të vërtetë dëshiron të kopjojë në praktikë ndarjen dhe kundërvënien në këtë rajon. Por popujt e Azi-Paqësorit nuk e pranojnë këtë gjë. Sipas Ken Stone, përgjegjës i organizatës kanadeze kundër luftës, Koalicionit për Armëpushim "Hamilton", NATO-ja është një organizatë ushtarake agresive e drejtuar nga ShBA-ja. Sipas vetë Kartës së Aleancës, ajo e ka humbur domethënien e ekzistencës së vet shumë herët.(Xu Guang)