Rusia: Nëse SHBA furnizon Ukrainën me bomba thërrmuese, do të përdorim municione të ngjashme
2023-07-12 21:30:51

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha të martën se Moska do të detyrohej të përdorte arsenalin e saj me bomba thërrmuese nëse Shtetet e Bashkuara do të furnizonin Ukrainën me municione të tilla. Komentet e tij u bënë publike nga agjencitë ruse të lajmeve.

Foto: VCG

Foto: VCG

Javën e kaluar Uashingtoni njoftoi se do të furnizonte Ukrainën me bomba thërrmuese, municione këto shpërthyese, që zakonisht lëshojnë një numër të madh bombash, më të vogla, në një sipërfaqe të gjerë. Mes rrezikut që paraqesin për popullatën civile, edhe pas një konflikti të armatosur, mbi 100 vende të botës e kanë ndaluar përdorimin e tyre, mes tyre Britania dhe Japonia.

Agjencitë ruse të lajmeve cituan ministrin Shoigu të ketë thënë se Rusia posedonte bomba thërrmuese, por deri më tani nuk i kishte përdorur ato në operacionet e saj ushtarake.

“Duhet të theksohet se Rusia ka në dispozicion bomba thërrmuese, për të gjitha rastet... Ato janë shumë më efektive se ato amerikane”, tha ministri rus i Mbrotjes.

Zoti Shoigu shtoi se ushtria ruse po merrte masa për të mbrojtur trupat e saj nga municione të tilla.