Shefi i NATO-s: Aleanca do ta ftojë Ukrainën t’i bashkohet kur të plotësohen kushtet
2023-07-12 15:41:25

Foto nga VCG

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi gjatë fjalës së tij në samitin e NATO-s në Vilnius, se aleanca do të ftojë Ukrainën që t’i bashkohet, por kur të plotësohen kushtet.

Ai theksoi se rruga e anëtarësimit të Ukrainës do të ndryshojë nga një proces me dy hapa në një proces me një hap.

“Kjo është një paketë e fortë për Ukrainën dhe një rrugë e qartë drejt anëtarësimit të saj në NATO”,- tha Stoltenberg, përcjell “RTSH”.

Ai njoftoi gjithashtu edhe mbi një program të ri ndihme shumëvjeçare për Ukrainën në përputhje me standardet e trajnimit të NATO-s.

Stoltenberg theksoi se do të formohet një këshill i ri NATO-Ukrainë, ku ata do të takohen si të barabartë.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO mund të marrë dekada për t'u arritur, por Kievi zyrtar dëshiron një afat kohor shumë më të shpejtë. (Elona)