Në ditën e fundit të shkollës për vitin shkollor 2022 – 2023, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka uruar nxënësit për pushimet verore
“Tashmë është koha të shijoni pushimet verore, – shkruan Kushi, duke u sugjeruar nxënësve që krahas argëtimit me familje dhe shokët e shoqet, të mos harrojnë dhe librat.
“Sot është dita e fundit e mësimit për këtë vit shkollor dhe jo rastësisht zgjodha t’ju përshëndes së bashku me Elisën, nxënësen e klasës së 4-t në shkollën “Hasan Vogli” Tiranë, e cila është shpallur fituese e konkursit “Miku i Librit” me numrin më të lartë të librave të lexuar gjatë këtij viti shkollor, në klasën e saj.
Duke ju uruar pushime të mbara, ju ftoj që përveç udhëtimeve, lojërave dhe aktiviteteve sportive, të lexoni sa më shumë libra në këtë stinë vere!” Ky mesazh i ministres u shoqërua dhe me foton e Elisës.
CMG: Elisa ti ke lexuar për pesë muaj 20 tituj librash?
Elisa Peza: Kjo nisi si një nxitje që pata me veten. I kisha premtuar vetes që do të lexoja me shumë se 3 mijë faqe në aq pak kohë. Kisha shumë dëshirë të fitoja një garë në klasë se kush lexonte më tepër .
CMG: Pavarësisht që kishe dëshirë të fitoje, ti e bëjë këtë që me shumë qejf apo jo?
Elisa Peza: Unë jam shumë e dedikuar për të lexuar dhe nëse i vendos qëllime vetes nuk mund të kthehem pas. Përveç se një qëllim, më tepër ishte dëshirë. Unë isha mësuar të lexoja shumë faqe në pak kohë dhe gjatë kësaj kohe zbulova gjëra të veçanta. Zbulova libra që nuk i dija më parë dhe tekste, të cilat nuk i kisha dëgjuar. Këto ishin libra me tregime, me përalla e më pas për të kaluar edhe në Enciklopedi.
CMG: Si u ndjeve kur more titullin ‘ Miku i librit’?
Elisa Peza: Ishte një emocion shumë i veçantë sepse unë deri diku e prisja pasi i kisha numëruar të gjitha faqet dhe e dija që kisha lexuar shumë libra. Por në ato momente u ndjeva shumë mirë, mora një vlerësim të lartë që mua më nxit edhe më tepër për të punuar me librin dhe për të lexuar gjithnjë e më tepër.
CMG: Si kanë qenë këto muaj që ti e ke pasur këtë lloj sfide me veten?
Elisa Peza: Ka pasur ditë që unë kam lexuar gjithë ditën dhe kjo ka ndodhdur kryesisht në fundjavë, por ka pasur ditë që kam ndjekur rrjedhën normale të ditës, ndonëse fokusin e kam pasur tek libri dhe leximi. Kur kemi një sfidë me veten priremi që të mos e lëmë pas dore dhe nxisim veten për të punua më tepër.
Në shumë raste më tërhiqte aq shumë historia sa kam përfunduar një libër brenda natës, ndërsa për të qenë më korrekte unë kam lexuar libra çdo ditë nuk jam tërhequr kurrë nga libri.
CMG: Ke nisur të lexosh që në moshën 6-vjeçare?
Elisa Peza: Po, sapo mbylla parashkollorin dëshiroja të lexoja për t’u bërë gati për në klasën time të parë. Çdo gjë nisi gradualisht pasi unë kam lexua libra nga më të thjeshtët tek më të vështirët.
CMG: A i ndan librat me shoqet?
Elisa Peza: Unë i ndaj sugjerimt me shoqet madje librat e parë i ndaja me to sepse dëshiroja që të përjetonin edhe ato ndjesinë për të lexuar libra të këndshëm siç bëja unë.
CMG: A e ke vendosur se çfarë do bëhesh në të ardhmen?
Elisa Peza: Ende jo sepse në kohë të ndryshime mendoj gjëra të ndryshme dhe ende nuk e kam vendosur. Vetëm di që librin do e kem gjithmonë mikun tim më të mirë.
Intervistoi Megi Latifi