Pas përfundimit të shkollës dhe impenjimeve me kurse të ndryshme përgjatë vitit, bashkë me korrikun nisin dhe pushimet verore. Këtë vit stina e verës duket se nisi me pak vonesë, por menjëherë me temperatura të larta, për të mos u rezistuar zhytjeve në det. Kur vjen puna te plazhi, fëmijët gëzojnë më tepër gjatë kësaj stine. Tashmë është koha për argëtim dhe periudha e pushimeve të vërteta. Pushimet verore mundësojnë zhvillimin, zbulimin e aftësive të ndryshme, maturimin e fëmijëve, etj. Si ndikojnë pushimet në psikologjinë e fëmijëve dhe tek të rriturit? E ftuar në Radio Ejani për të diskutuar rreth kësaj teme është psikologia Qerime Daçi.
CMG: Si ndikojnë pushimet verore në psikologjinë e njeriut?
Qerime Daçi: Pushimet verore janë një relaks, por për të kuptuar se sa relaks ka njeriu, kjo varet nga gjendja e tij shpirtërore, ndaj mund të themi që pushimet në psikologjinë e njeriut ndikojnë si nga ana pozitive ashtu edhe negative.
CMG: Cilat janë anët pozitive dhe negative të pushimeve?
Qerime Daçi: Anët pozitive janë: “Relaksimi i trurit nga ana psikike dhe largimi nga puna për një javë, dy apo një muaj është shumë e rëndësishme. Këtu e rimarrin vehten të rriturit nga ana psikologjike dhe ndjehen në një formë më të mirë për të vazhduar sezonin e ri të punës. Ndërsa ana negative, është pjesa ekonomike. Janë ata persona që nuk bëjnë kurrë pushime pasi gjendja ekonomike e tyre i detyron vetëm për mbijetesë, gjë e cila i rëndon shumë edhe nga ana psikologjike. Për këtë arsye këta persona mund të arrijnë nje përqindje të stresit nga 10-20 përqind. Këtu ndodhin edhe disa simptoma të ankthit e prindërit e transmetojnë edhe tek fëmijët gjendjen e tyre emocionale.
Anët pozitive të fëmijëve janë të shumta, pasi pas mbylles së vitit shkollor e shumë kurseve ku prindërit i dërgojnë fëmijët, psikologjia e tyre bie në qetësinë bazë të lirshmërisë, ndjenjës e gjendjes në të cilën ndodhen fëmijët. Ekziston edhe një mënyrë tjetër relaksimi për fëmijët, që t’ju krijojmë mundësinë çdo ditë një ose dy orë në ditë për të lexuar libra jashtshkollorë, sepse kjo është shumë e dobishme për qetësinë psikologjike të fëmijës.
Ndërsa Flavio 6 vjeç, tregon se si i kalon pushimet verore
CMG: Përshëndetje ! Si quhesh?
Flavio: Jam Flavio 6 vjeç, sapo kam mbaruar parashkollorin.
CMG: Tashmë ka nisur periudha e pushimeve, por si po i kalon këto ditë të nxehta të verës?
Flavio: Shumë mirë.
CMG: I ke nisur pushimet për këtë vit?
Flavio. Po, isha një javë me familjen në Sarandë.
CMG: Si kalove me pushime dhe çfarë të pëlqeu?
Flavio: Kalova shumë bukur, bëra një shëtitje me anije, aty takova një shoqen time. Deti ishte shumë i bukur, kishte dhe festë me shkumë.
CMG: Për ty është më mirë të jesh pushim apo në shkollë me shokët?
Flavio: Të dyja.
CMG: Po pas pushimeve, si ke menduar ta kalosh kohën e lirë gjatë verës?
Flavio: Do luaj me shokët e lagjes, por në gusht do shkoj me familjen në Greqi.
CMG: Kalofsh sa më bukur pushimet e verës!
Flavio: Faleminderit!
-Duke diskutuar në familje për pushimet verore dhe duke i organizuar pushimet, kjo gjë i bën njerëzit më të lumtur psikologjikisht e fizikisht. Kjo është e vërtetuar në mënyrë shkencore si dhe nga hulmutimet e shumta që janë bërë nga sociologë e psikologë, të cilët kanë dalë në të njëjtin përfundim, që pushimet dimërore, verore ose pranverore ndikojnë shumë mirë nga ana psikologjike, po ashtu edhe në jetën e individit. Pushimet bëjnë mirë nga ana psikologjike, por edhe shëndetësore njëkohësisht.
Sipas Dr. Mel Bornis,do të ishte mirë që të bëni qoftë edhe një pushim fare të shkurtër, sepse qetësia dhe relaksi, do ndikojë pozitivisht në jetën tonë madje mund të ndihmojë me 50% për të ulur presionin e gjakut, atakun kardiak, stresin, si dhe ndikojnë në jetëgjatësinë e njeriut. Madje rikthimi në shkollë apo në punë me energji të reja, ndihmon në rikthimin me mjaft optimizëm dhe produktivitet në aktivitetin e jetës së përditshme. E nëse dëshironi një jetë të shëndetshme emocionale këshillat nga studiuesit është, të merrni sa më shumë pushime të jetë e mundur, madje edhe në çdo periudhë të vitit. Kjo është fuqia e madhe e pushimeve duke na transformuar në një njeri më të mirë, më të lumtur dhe produktiv.
Intervistoi: Sava Lena