SHBA, shkelje e ligjeve të punës për fëmijët në rritje
2023-07-11 15:33:04

Foto nga VCG

Departamenti amerikan i Punës thotë se numri i fëmijëve të punësuar në kundërshtim me ligjet e punës ka shënuar rritje që nga viti 2015. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Moskalkov, ndonëse numri i përgjithshëm i shkeljeve është ende më i ulët se sa dy dekada më parë, ekspertët thonë se rritja është shqetësuese.

Në fillim të majit, Departamenti amerikan i Punës gjobiti një numër restorantesh McDonald's në Kentaki, Indiana, Merilend dhe Ohajo pasi mësoi se ato kishin punësuar ilegalisht 300 fëmijë për të kryer detyra që janë shumë të rrezikshme për të miturit.

Në Luivill të Kentakit, dy fëmijë 10-vjeçarë nganjëherë punonin deri në orën 2 të mëngjesit, njëri madje përdorte makinën me vaj të nxehtë, pa marrë pagesë, tha Departamenti i Punës.

Vitin e kaluar, një hetim nga agjencia e lajmeve Reuters zbuloi se një numër fëmijësh, disa prej tyre deri në 12 vjeç, kishin punuar në katër fabrika të prodhimit të pjesëve për automjetet Hyundai dhe Kia në Alabama.

Hetimet e kryera nga gazeta New York Times gjetën gjithashtu praktika të paligjshme të punësimit të fëmijëve në kompanitë Ford, General Motors, J. Crew, Walmart, Target dhe Whole Foods.

Për vitin fiskal 2022, Departamenti i Punës regjistroi 688 raste të fëmijëve të punësuar në mjedise që konsiderohen të rrezikshme për ata, numri më i lartë që nga viti 2011.