
Foto nga VCG
Takimi i ardhshëm mes kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, më 12 korrik, në kuadër të samitit të NATO-s në Vilnius, ofron një perspektivë të re të rifillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sipas burimeve qeveritare, momenti pozitiv që është zhvilluar në marrëdhëniet greko-turke pas tërmeteve shkatërruese në vendin fqinj dhe rizgjedhjes së dy qeverive të reja me një mandat të ri popullor hap një dritare mundësie për të rifilluar marrëdhëniet greko-turke, bën të ditur “ATSH”.
Të njëjtat burime thanë se momenti për dialog me shtetin fqinj nuk duhet humbur.
Mitsotakis ka deklaruar se kanalet e komunikimit me Turqinë duhet të jenë të hapura në të gjitha nivelet dhe kjo do të ndiqet në fazën tjetër, si dhe promovimi i të ashtuquajturës agjendë pozitive, e cila mund të krijojë një klimë besimi dhe pune të ndërsjellë në dobi të dy popujve.
“Ka mosmarrëveshje. Fakti që nuk jemi dakord nuk do të thotë se nuk diskutojmë. Qëndrimi i palëkundur i palës greke është se një cikël i ri tensioni nuk është në interesin e askujt, ndërkohë që paraqet rreziqe për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Greqia është e vendosur për marrëdhënie të ndershme me vendin fqinj, për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, me dialog e mirëbesim, mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”,- theksojnë burime pranë qeverisë greke. (Irma)
