Presidenti amerikan: SHBA mund t’i ofrojë Ukrainës mbrojtje të ngjashme me Izraelin para hyrjes në NATO
2023-07-11 15:02:55

Foto nga VCG

Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se ndërsa Ukraina po pret të bashkohet me NATO-n, SHBA-ja është e gatshme t’i ofrojë mbrojtje të ngjashme me atë që i ofron Izraelit, shkruan “ATSH”.

Biden zvogëloi kështu shpresat e Ukrainës për një anëtarësim të shpejtë në NATO duke thënë se kjo do të marrë pak kohë.

“SHBA-ja do të jetë e gatshme të ofrojë sigurinë që ne i ofrojmë Izraelit. Kjo përfshin sigurimin e armatimit që u nevojitet dhe kapacitetin për të mbrojtur veten”, theksoi ai.

Por, kjo mund të ndodhte vetëm nëse do të kishte një armëpushim dhe një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

SHBA-ja e mbështet Izraelin me rreth 3.8 miliardë dollarë në vit, një pjesë e madhe e të cilave shkon për mbrojtjen kundër raketave dhe teknologjisë ushtarake.

Asnjë vend tjetër në botë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk ka marrë më shumë mbështetje nga SHBA sesa Izraeli, sipas një raporti të fundit nga Shërbimi Kërkimor i Kongresit Amerikan.

Në mars të vitit 2022, Kongresi miratoi miliarda fonde shtesë për sistemin e mbrojtjes raketore të Izraelit “Iron Dome”, të cilin SHBA-ja e ndihmoi në zhvillimin.

Izraeli, që e vuri në funksionim në vitin 2011, e përdor për të mbrojtur banorët e tij.

SHBA-ja është tashmë mbështetësja më e madhe ushtarake e Ukrainës duke furnizuar vendin me pajisje prej 42.8 miliardë dollarësh, sipas Institutit “Kiel” për Ekonominë Botërore, i cili publikon të dhëna për mbështetjen e Ukrainës. (Fatosi)