Ekonomia parashikohet të rritet me 3.7 përqind këtë vit
2023-07-11 11:01:55

Rritja ekonomike (Foto Businessmag.al)

Rritja ekonomike (Foto Businessmag.al)

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj në një konferencë për shtyp në fillim të korrikut u ndal tek rezultatet e veprimtarisë ekonomike në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, sidomos për tremujorin janar-mars 2023, ku shifrat janë të plota dhe të konfirmuara.

Rritja ekonomike për vitin 2022 rezultoi 4.8 perqind, nivel ky më i lartë se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit, më i lartë se Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.  Ndërkohë, niveli i inflacionit vitin e kaluar në Shqipëri ishte 6.7 përqind, ose ndjeshëm më i ulët se sa në vendet e tjera të rajonit apo, apo më i ulët se mesatarja e vendeve të BE-së.

Përgjatë këtij viti, inflacioni ka vijuar të ulet edhe më tej, duke arritur në 4.7 përqind për muajin qershor 2023.

Të ardhurat në buxhetin e shtetit për këtë vit kanë vijuar të rriten me ritme të përshpejtuara gjatë tremujorit të parë të vitit 2023. Në krahasim me janar-mars 2022, të ardhurat totale u rritën me 16.2 miliardë lekë ose 156 milionë euro më tepër, apo 11.7 përqind më shumë. Të ardhurat u rritën gati dy herë më shumë se inflacioni mesatar për janar-mars 2023, që ishte 6.5%.

Delina-Ibrahimaj ministre e financave dhe ekonomisë (Foto Euronews Albania)

Delina-Ibrahimaj ministre e financave dhe ekonomisë (Foto Euronews Albania)

Një tatim tipik që mat shëndetin e ekonomisë dhe se sa konsumon ajo në një periudhë kohe është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH). Për periudhën janar-mars 2023, të ardhurat nga TVSH janë rritur me 16.7 përqind. Kjo përfaqëson një rritje gati tre herë më të lartë nga shtimi i inflacionit.

Sektori i ndërtimit ka pasur një rritje të ardhurash me 14.4 %, sektori i prodhimit prej 31 %, sektori i shërbimeve prej 13.6 %, transporti 24 % dhe tregtia 11.2 %, në krahasim me janar-marsin 2022.

Të dhënat e punësimit vijojnë të mbështesin rritjen ekonomike. Vendet e punës për tremujorin e parë të vitit janë në nivelin 709.203 të punësuar, një nivel i krahasueshëm me fundin e vitit 2022, ndërkohë që dhe sipas sektorëve, ka patur një ecuri të fortë të punësimit në ato sektorë që kanë ndikuar kryesisht dhe më shumë në rritjen ekonomike.

Në paralel me shifrat zemërdhënëse për veprimtarinë ekonomike, shifrat e borxhit publik kanë vijuar të jenë të qendrueshme dhe borxhi ka vijuar të ulet. Në tremujorin e parë, sipas shifrave paraprake, borxhi publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është në nivelin 63.27 % të PBB nga 64.58 % që ishte në fund të vitit 2022.

Kredia bankare për sektorin privat ka vijuar të jetë pozitive, ndonëse ka ngadalësuar ritmet e rritjes. Kredia për konsumatorët, që lidhet ngushtë me konsumin dhe me shpenzimet konsumatore, është rritur në tremujorin e parë me 11 %, një shifër kjo që është më e ulët se sa fund viti i 2022, megjithatë është ndjeshëm më e lartë se sa mesatarja afatgjatë e këtij treguesi. Kjo do të thotë se konsumi ka vijuar të jetë pozitiv gjatë tremujorit të parë janar-mars 2023.

Edhe kredia për blerje banesash, ndonëse kemi pasur një rritje të normave të interesit, ka vijuar të jetë e lartë. Ritmi i rritjes në krahasim me vitin e kaluar është 14.2 përqind më shumë. Sidomos është rritur ndjeshëm kredia për blerjen e banesave në zonat bregdetare.

Nivelet e rritjes ekonomike (Foto Lapsi.al)

Nivelet e rritjes ekonomike (Foto Lapsi.al)

Aktiviteti i bizneseve për tremujorin e parë të vitit 2023 ka vijuar të jetë premtues. Në mars të vitit 2023 kemi patur 126.299 biznese, ose 4506 biznese më shumë se marsi i vitit 2022. Qarkullimi i bizneseve gjithashtu në total për ekonominë është rritur me rreth 5 %, ndërsa shpërndarë sipas sektorëve, qarkullimi i sektorit të ndërtimit është rritur me 11.4 %, sektori i prodhimit me 5 %, sektori i shërbimeve me 13.7 % dhe sektori i tregtisë me 1.4 %.

Të gjitha këto shifra të ecurisë ekonomike në vend për tremujorin janar-mars 2023, të konfirmuara më tej edhe nga shifrat pozitive të dymujorit prill-maj 2023, e kanë bërë qeverinë të parashikojë një rritje ekonomike 3.7 përqind për këtë vit. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, parashikimin në fillim të këtij viti për një rritje ekonomike për Shqipërinë prej vetëm 2.5 përqind, e korrigjoi me një rritje 3 përqind, në deklaraten e misionit të tij vëzhgues në Shqipëri, në qershor 2023.

 

Fatos Çoçoli