CMG: Kur keni emigruar në Itali dhe në cilin qytet jetoni aktualisht?
Laura Olldashi: Unë kam emigruar në vitin 1998, për të ardhur në Milano ku kam qëndruar dhe vazhdoj të jetoj edhe sot.
CMG: Si ka qenë integrimi juaj në ditët e para në Itali?
Laura Olldashi: Integrimi nuk ka qenë i lehtë në dy pikëvështrime, për t’i parë gjërat sesi unë i kam jetuar atëhere dhe si i jetoj tani. Integrimi ka qenë goxha i vështirë, sepse jo vetëm që unë vija nga një vend tjetër, por nga një vend si Shqipëria. Unë nuk besoj se flitet vetëm për të huajin, por në këtë rast flitet për të ndryshmit, i ndryshmi që mund të jetë i huaj në rastin tim ose për shumë idera të tjera. Unë kam ardhur klandestine dhe kam hyrë pa dokumenta vitin e parë në Milano, një qytet shumë i bukur, por shumë i ftohtë. Unë kam qenë pothuajse e mbyllur vitin e parë në shtëpi sepse nuk pata mikpritjen e qytetit. Kam ardhur në Milano në nëntor dhe mbas një viti fillova punën e parë, pa rregulla dhe pa dokumenta. Në tre-katër vitet e para ishin punë të ndryshme dhe unë jam tipike refugjate, kam jetuar jetën e refugjatit.
Nuk më është falur asnjë gjë, por gjithçka është bërë me shumë mundime dhe disiplinë, me një karakter shumë të madh që në të vërtetë të ndihmon nga një anë sepse ti arrin dhe ecën, por në të njëjtën kohë të ndryshon edhe karakterin. Ndërkohë që pas 4-5 viteve të mia në këto punë të vështira dhe jo të studimeve që unë kisha bërë, fillova punën e parë në mjekësi, në studion e mjekut të familjes ku rastësisht dërgova mamanë time për ta vizituar.
CMG: Si u ndjetë kur filluat një punë të tillë në një vend të huaj?
Laura Olldashi: Kam qenë shumë e gëzuar kur kam filluar atë punë, por nga ana tjetër shumë të rëndësishme për mua janë dhe raportet njerëzore dhe ana humane. Aty unë pata një indicje shumë të madhe nga ana humane dhe ajo shpirtërore, duke qenë afër personit që vuan dhe që ka me të vërtetë probleme me shëndetin, dhe kjo gjë bën një ndryshim kolosal për mua, për ekzistencën time. Aty kuptova problemet e vërteta që mund të ketë njeriu, siç është vdekja apo jeta. Në studion e mjekut të familjes kam punuar pesë vite, afër shtëpisë dhe zonës ku unë jetoj në tre studio të ndryshme mjeku, derisa mbas pesë vitesh dërgova një CV në spitalet afër shtëpisë, në Institutin e Klinikës Humanitare dhe aty fillova punën në farmaci.
Ka qenë shumë e bukur sepse intervista e parë më është bërë me 30 persona të ndryshëm që duhet t’i merrnin në punë dhe unë vija nga një eksperiencë 5 vjeçare te mjeku i familjes, plus që vija nga Shqipëria dhe kandidatët e tjerë vinin nga vende të ndryshme të botës. Intervista zgjati gati shtatë orë dhe më kujtohet se kur më kanë pyetur se përse unë isha aty dhe doja të punoja në spital, i thashë që për mua është e rëndësishme që njerëzit të hyjnë të paktën në punë me lot dhe të dalin me një buzëqeshje të vogël. Kjo ishte një nga arsyet që unë fillova në atë punë.
CMG: Cili është pozicioni juaj në spitalin ku punoni aktualisht?
Laura Olldashi: Në fillim në spitalin e parë kam punuar në farmacinë e spitalit dhe jam marrë me pacientët me patologji të ndryshme dhe të vështira, që pasi bënin vizitën te mjeku vinin në farmaci dhe merrnin ilaçet falas. Më vonë rajoni i Lombardisë e rinmbursonte spitalin, por pacienti e merrte falas. Unë kam qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientin ku shpërndaja ilaçet. Në këtë spital kam punuar 13 vjet, dhe pastaj ekipi im i farmacisë së spitalit u spostua në një nga spitalet më të mëdha dhe më kryesori i Milanos “San Raffaele” ku unë punoj tani. Punoj përsëri në farmacinë e spitalit, por merrem me ilaçin e studiove eksperimentale, që do të thotë ilaçi para se të dalë në shitje. Ky ilaç është për sëmundje të ndryshme të rënda.
CMG: Ju jeni autore e një libri, të cilin e keni promovuar edhe në Shqipëri. Flasim për pasionin tuaj për letërsinë?
Laura Olldashi: Unë kam qenë me fat që afër meje kanë qenë persona që kanë bërë ndryshimin, njerëz të panjohur që kanë bërë ndryshimin jo vetëm në mënyrën e individualitetit dhe karakterit, por edhe anët profesionale. Unë po ecja shumë në anën profesionale, por nga ana shpirtërore kisha mbetur akoma e vogël, ngaqë i kisha dhënë shumë forcë profesionit dhe rregullave. Kjo forcë e madhe që unë kisha rreth vetes e kisha lënë pas dore anën time shpirtërore. Para pesë vitesh në një ditë të bukur unë filloj të shkruaj dhe po merrem më shumë për veten time se çfarë ndodhte brenda meje. Fillimet në shkrimet e mia ishin individuale, derisa pastaj pasioni rritej dhe nuk ka gjë më të bukur kur gjen një pasion. Vjet doli libri im i parë “Atman” që flet vetëm për shpirtin, pak për njeriun e sotëm modern që do të bëjë gjithçka, por harron veten e tij. Unë i bëra një prezantim të mirë librit në Tiranë dhe Prishtinë dhe në shtator ose tetor do të nxjerr edhe librin e dytë. Sipas meje, besoj se libri i parë ka ecur shumë mirë.
CMG: Si është pritur libri nga lexuesit?
Laura Olldashi: Libri është pritur shumë mirë jo vetëm nga lexuesit, por edhe nga kritika. Mbi librin “Atman” është folur mbi stilin tim të të shkruarit sepse unë kam një stil shumë të brendshëm dhe individualist. Mjafton të lexosh dy-tre tregime dhe e kupton menjëherë që e kam shkruar unë, sepse është pikërisht bota e brendshme, rëniet tona me vetëdije apo pa vetëdije dhe aty kupton që ne jemi me të vërtetë një fuqi shumë e madhe individësh. Njeriu është një forcë e madhe.
CMG: Keni ardhur shpesh në Shqipëri dhe për çfarë ju merr malli më shumë për vendlindjen?
Laura Olldashi: Unë jetoj në Itali prej vitit 1998, por krijimtaria ime del në gjuhën shqipe dhe kjo është lidhja më e madhe shpirtërore që unë kam me Shqipërinë. Unë jam shumë krenare që arti im del në gjuhën shqipe. Në Shqipëri unë nuk kam familjarë dhe jam turiste, por kohët e fundit jam kthyer vetëm për artin tim dhe librin. Madje kur u ktheva nga Kosova bëra rrugën e Shqipërisë.
CMG: Cila është tematika që jeni duke ndjekur në e librin tuaj të dytë?
Laura Olldashi: Nëse në librin e parë unë punova me stilin, në librin e dytë janë shumë të rëndësishme temat e reja. Gjithmonë flitet për njeriun e sotëm, gjithmonë flitet për vlerat, por njerzit vrapojnë mbas pamjes dhe anës materiale, objekteve, sendeve, dhe jo mbas shpirtërores. Kjo gjë mua më shqetëson dhe në librin e dytë ka shumë cikle që unë i quaj sesi ndjehem unë ose një njeri në këtë moment. Besoj se do të jetë me një lartësi akoma më të madhe dhe për mua është shkrimi që më ndjek. Unë do të shkoj atje ku është shkrimi im.
Intervistoi: Gazmend Agaj