Librat e detit, histori klasike për botën eksploruese të thellësive
2023-07-10 10:18:57

Pse e bëjmë një zgjedhje të tillë? Për t’iu kujtuar se ashtu si gjyshërit dhe prindërit, edhe nipërit e tyre, mund të frymëzohen nga libra të tillë, ku personazhet eksplorojnë thellësitë, ndeshin të papritura, përballen me sfida dhe në fund triumfojnë. Po flasim për klasikët e mëdhenj që kanë shkruar për aventurat në det apo oqean, për historitë  e tyre, për trillerat në të cilët plazhet, ishujt apo humnerat formojnë sfondin e intrigave që siguron suspancën e lartë tek lexuesi, duke zbuluar një botë të panjohur.

Zakonisht ata pushues që shkojnë në mal shpesh marrin me vete libra me tematikë, malin, pyllin, freskinë. Po pushuesit e detit, çfarë duhet të marrin? Çuditërisht janë të paktë libra që flasin për faret, ishujt, marinarët dhe gjërat e detit. Këtu ju sugjerojmë disa nga ato shumë të bukurit, që nuk iu ikën koha asnjëherë:

“Ishulli i thesarit” nga Robert Louis Stevenson

Tradicionalisht i konsideruar si një histori për fëmijë “Ishulli i thesarit” është një përrallë e njohur për atmosferën, personazhet dhe veprimin e saj, me disa komente të hidhura mbi paqartësinë morale në Long John Silver, e pazakontë për një letërsi për fëmijë.

Ndikimi i këtij libri në perceptimin popullor të piratëve ishte një thesar i jashtëzakonshëm, duke përfshirë artikuj të tillë si hartat e botës të shënuara me një "X", ishujt tropikal dhe marinarët e çuditshëm me këmbë me kunja me papagall të ulur në shpinë. Të gjitha këto ndikuan edhe në veprat kinematografike dhe letrare të dekadave në vijim.

“Njëzet mijë lega nën det” nga Zhyl Vern

“Njëzet mijë liga nën det” është një klasik që ende kap imagjinatën sot, përralla e jetës së Vernit, brenda një nëndetëseje, konsiderohet si një nga romanet më të mira të oqeanit. Si një kronikë e aventurave të kapitenit Nemo, ky roman feston lirinë e detit dhe mrekullinë e zgjuarsisë njerëzore.

Është ndër romanet më të njohur fantashkencë të Zhyl Vernit, “20 000 lega nën det” tregon historinë fantastike të kapitenit Nemo dhe nëndetëses së tij Nautilius. Gjatë udhëtimit, kapiten Nemo me ekuipazhin shkojnë në pika të ndryshme të oqeaneve, disa prej të cilave Verni i njihte nëpërmjet tregimeve reale të udhëtarëve të ndryshëm, ndërsa disa të tjera janë krejtësisht të trilluara.

“Plaku dhe deti” nga Ernest Hemingway

Një nga tregimet më ikonike të Hemingway, “Plaku dhe deti” tregon një histori të përjetshme të triumfit personal pas humbjes shkatërruese. Ajo do t'i sjellë Hemingway një çmim Nobel në letërsi. Kjo novelë i qëndron provës së kohës si një klasik i letërsisë detare.

“Plaku dhe deti” është një tregim që flet për forcën dhe dinjitetin e shpirtit të njeriut. Plaku i detit na tregon se arriti atë që nuk e kishte bërë tjetërkush dhe nuk ka rëndësi se nuk e solli edhe mishin e peshkut për ta ngrenë. Kjo nuk ishte sprovë për të sjellë diçka për të ngrënë, por për të sjellë një provë të guximit dhe krenarisë. Është një ngjarje në kufirin e së pamundurës, nga e cila peshkatari del fitimtar. Për Heminguejin njeriu duhet të provojë edhe të pamundurën se sa të tërhiqet pa e provuar.

“Mobi Dik”nga Herman Melville

Herman Melville është ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë së gjithë. Kryevepra e tij Mobi Dik u botua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe për shumë vite mbeti e papikasur prej kritikës, e cila, sot e vendos atë unanimisht në romanet më të epërm të letërsisë botërore, duke e cilësuar si eposi homerik modern.

Moby Dick është një libër plot jehona biblike dhe homerike, në të cilin deti bëhet mbretëria e përbindëshave, e tmerrit, e të panjohurës.

Kundër gjithë kësaj lufton kapiteni Ahab, në luftën e tij kokëfortë dhe titanike me Balenën e Bardhë, energji e errët dhe e padepërtueshme që sfidon njeriun nga vetë zemra e kozmosit. "Ahab ndjek Moby Dick për hakmarrje", shkroi Cesare Pavese, përkthyesi i parë i romanit në italisht, "por, siç ndodh në çdo pasion me urrejtjen, dëshira për të shkatërruar duket pothuajse një dëshirë për të zotëruar, për të ditur". Moby Dick është një roman që ofron çelësa të pafund interpretimi, një afresk i fatit dhe gjendjes së njeriut.

“Katër dramat në det” nga Alexandre Dumas

Ne vazhdojmë listën tonë të romaneve mbi detin me një titull që mban firmën e Alexandre Dumas “Katër drama në det”, një përmbledhje e botuar në 1852. Për t'u larguar nga kreditorët e tij, Dumas u strehua në Bruksel, ku iu përkushtua biografisë së Lord Bajronit. Gjatë veprimtarisë kërkimore ai u bë i pasionuar pas historive të mbytjeve të anijeve dhe dramave që kanë ndodhur gjatë kohës në oqeane.

Kështu fillon të mbledhë dëshmitë e të mbijetuarve, duke krijuar koleksionin e botuar me titullin francez “Les drames de la mer”.

“Aventurat e Robinson Kruzoit” nga Daniel Dëfo

Robinson Kruzo është një roman i shkruar nga Daniel Defoe, botuar së pari më 25 prill 1719. Botimi i parë ia mveshi autorësinë e librit protagonistit Robinson Kruzo, aq sa lexuesit menduan se bëhej fjalë për një udhëpërshkrim me incidente të vërteta.

Ky rrëfim tregon se si qeniet njerëzore janë të afta të kapërcejnë vështirësitë përmes përpjekjes, durimit dhe mençurisë, dhe në të njëjtën kohë na tregon nevojën që të komunikojmë dhe të jemi pjesë e shoqërisë. ‘’Robinson Kruzo’’ u botua kur autori ishte pothuajse 60 vjeç dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm.

Neritana Kraja