Sekretarja e Thesarit e ShBA-së Janet Yellen përfundoi të dielën vizitën e saj katërditore në Kinë. Gjatë takimeve dhe bisedimeve të saj me përfaqësues së palës kineze, si Kina, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, shprehën synimin e tyre për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin. Zyrtarët kinezë theksuan se teprimi me konceptin e sigurisë kombëtare nuk është i favorshëm për shkëmbimet normale ekonomike dhe tregtare dypalëshe. Nga ana e saj, Yellen-i përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë "shkëputje" nga ekonomia kineze, duke u angazhuar për kërkimin e përfitimeve të ndërsjella ekonomike për ShBA-në dhe Kinën.
Foto nga VCG
Yellen-i është zyrtarja e dytë e lartë e qeverisë amerikane që viziton Kinën brenda një muaji. Para saj, edhe sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri një vizitë në Kinë. Duke gjykuar nga informacionet e publikuara nga të dy palët, del se vizita e Yellen-it kësaj here u mundësoi si Kinës, ashtu edhe Shteteve të Bashkuara të kenë një njohje më të thellë dhe më të plotë të shqetësimeve të njëra-tjetrës dhe të dy vendet shprehën gjithashtu vullnetin e tyre për të vazhduar dialogun. Kjo lehtësoi deri në njëfarë mase shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare. Disa media të huaja mendojnë se ky është një “hap pozitiv”.
Për më shumë se 40 vjet që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar ka qenë gjithmonë baza dhe forca shtytëse e lidhjeve dypalëshe. Megjithatë, pasi Shtetet e Bashkuara provokuan në mënyrë të njëanshme një luftë tregtare me Kinën në mars 2018, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve u ndikua rëndë. Që kur administrata e presidentit Biden erdhi në pushtet, ajo ka vazhduar politikën e paraardhëses së vet të vendosjes së tarifave ndaj Kinës dhe shtypja e saj ndaj Kinës është intensifikuar. Në nëntor 2022, liderët kinezë dhe amerikanë u takuan në Bali për të arritur një konsensus të rëndësishëm. Vizita e Yellen-it në Kinë shihet si një masë konkrete për zbatimin e konsensusit të arritur nga dy krerët e shtetit dhe forcimin e komunikimit e të shkëmbimeve në fushën financiare mes dy vendeve.
Foto nga VCG
Duke gjykuar nga informacioni i dhënë nga të dyja palët, Kina beson se bisedimet janë "konstruktive". Në fund të vizitës së saj, Yellen-i tha gjithashtu se takimi me palën kineze në ditët e fundit ishte "i drejtpërdrejtë dhe produktiv". Në një kohë kur lidhjet kino-amerikane kanë rënë në nivelin më të ulët që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, këto deklarata nga të dyja palët do të ndihmojnë në lehtësimin e marrëdhënieve kino-amerikane dhe përmbushjen e pritshmërive të bashkësisë ndërkombëtare.
Por në të njëjtën kohë, bota e jashtme ka vënë re se Yellen-i ende flet për "sigurinë kombëtare" dhe pretendon formulimin e një sërë rregullash ekonomike "të drejta". Pala kineze shprehu gjithashtu shqetësim për sanksionet dhe masat kufizuese amerikane kundër Kinës. Analistët theksuan se kjo tregon se ka ende dallime mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në drejtim të përmirësimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, duke vënë në dukje se veçanërisht Shtetet e Bashkuara kanë ende shumë për të bërë.
Njohja përcakton të menduarit. Marrëdhëniet Kinë-ShBA tani janë në telashe, në thelb, ngase ShBA-ja ka një perceptim të gabuar për Kinën dhe e konsideron Kinën si "konkurrenten më të rëndësishme strategjike". Në mënyrë të ngjashme, për sa u përket marrëdhënieve ekonomike e tregtare, disa njerëz në Shtetet e Bashkuara ende kanë idenë e gabuar se "Shtetet e Bashkuara vuajnë dhe Kina përfiton". Ata nuk e kuptojnë se "përfitimet e ndërsjella janë thelbi i marrëdhënieve ekonomike kino-amerikane" dhe se "forcimi i bashkëpunimit është nevojë konkrete dhe zgjedhja e duhur e të dy palëve".
Foto nga VCG
Në të njëjtën kohë, ShBA-ja gjithashtu duhet të punojë shumë për t'ia lënë ekonominë ekonomisë dhe politikën politikës. Në fakt, Shtetet e Bashkuara nuk janë të pavetëdijshme për dëmin e shkaktuar nga lufta tregtare me Kinën. Sipas hulumtimit të "Moody's", më shumë se 90 % e kostos së tarifave në luftën tregtare ShBA-Kinë përballohet nga pala amerikane, dhe qëllimi fillestar i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara - përmbysja e deficitit tregtar - nuk është arritur. Sipas të dhënave të palës amerikane, deficiti tregtar i mallrave i ShBA-së me Kinën u zgjerua me 8 % vitin e kaluar, duke arritur në 382.9 miliardë dollarë amerikanë e duke zënë vendin e dytë vetëm pas nivelit të lartë rekord 419.4 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2018. Uebsajti amerikan “The Hill” ka publikuar një artikull, ku e pranon se ShBA-ja ka humbur gjithçka në luftën tregtare me Kinën.
Ka një problem tjetër themelor, që bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar kino-amerikan është i pandarë nga mjedisi i përgjithshëm i marrëdhënieve dypalëshe. Përpara se Yellen-i të vinte në Kinë, Departamenti i Thesarit i ShBA-së shpalli tha në një deklaratë se do të "menaxhonte me përgjegjësi marrëdhëniet kino-amerikane". Ndërmjet anëtarëve të kabinetit të administratës Biden, Yellen-i ka një qëndrim relativisht racional ndaj Kinës. Për më tepër, ajo dikur ka shërbyer si kryetare e Rezervës Federale dhe ka cilësi profesionale, ndaj mund dhe duhet të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e përmirësimit të marrëdhënieve kino-amerikane.
Raporti i fundit "Perspektivat ekonomike globale" i publikuar nga Banka Botërore parashikon që rritja globale do të ngadalësohet nga 3.1 % në vitin 2022 në 2.1 % sivjet. Vëllimi i përbashkët ekonomik i Kinës dhe Shteteve të Bashkuara e tejkalon një të tretën e vëllimit të përgjithshëm botëror dhe kontribuon për më shumë se 50 % në rritjen ekonomike botërore. Rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis dy palëve në ekonominë botërore është e dukshme. Që nga fillimi i këtij viti, shumë drejtues biznesi amerikanë kanë ardhur në Kinë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj "shkëputjes" dhe kanë bërë thirrje për një bashkëpunim më të fortë me Kinën. Kjo përfaqëson zërin e komunitetit të biznesit amerikan.
CMG-ja komenton se pritet që, pasi Yellen-i të kthehet në Shtetet e Bashkuara, njerëzit do të shohin se pala amerikane do të ndërmarrë veprime praktike për të punuar me palën kineze për të promovuar "qëndrueshmërinë e rimëkëmbjen" e marrëdhënieve kino-amerikane, që bashkëpunimi ekonomiko-tregtar dypalësh të rikthehet në shinat e duhura sa më shpejt të jetë e mundur.