Sezoni turistik, kërkesë e lartë dhe çmime të larta
2023-07-10 10:02:03

Shërbime (Foto Hotel Royal G)

Shërbime (Foto Hotel Royal G)

Marketingu ndërkombëtar ka bërë mjaft punë në drejtim të shtimit të flukseve turistike në Shqipëri, por kjo është shoqëruar edhe me rritje çmimesh. Më “të kripura” çmimet janë në jug të vendit dhe më pak janë reflektuar në plazhin e Durrësit. Sipas të dhënave të Tur Operatorëve për Radio Ejani, përgjatë bregdetit të Himarës apo Dhërmiut çmimet janë rritur me afro 30 përqind, në Sarandë dhe Vlorë afro 20%, ndërsa në plazhin e Durrësit variojnë nga 10-20 %.

Në  bregdetin jugor nata kushton deri në mbi 120 euro në hotele me standard të lartë, ndërsa në apartamente kosto është më e ulët. Në një intervistë për Radio Ejani, Blerim Norja, drejtor pranë Hotel Royal G në Durrës jep më shumë detaje për ofertat verore.

“Durrësi mbetet edhe këtë vit një nga qytetet më të preferuar për plazh, pasi ka disa avantazhe krahasuar me jugun e Shqipërisë. E para është shumë afer aeroportit, Tiranës, por ka edhe një avantazh tjetër që paketat turistike në Durrës janë me çmime shumë here më ë ulta se sa në jug. Pavarësisht se në jug natyra është shumë e bukur, çmimet nuk mund t’i përbaallojnë të gjithë. Nëse në Durrës një persona paguan një paketë all inclusive 80 euro, përfshirë mëngjes, drake dhe darkë pa limit, këtë paketë në jug të vendit mund ta gjesh vetëm për akomodimin dhe mëngjesin. Ka një ndryshim shumë të madh. Edhe çmimet e restoranteve dhe bareve në jugun e vendit janë më të shtrenjët se në plazhin e Durrësit. Për  këtë arsye Durrësi ngelet një nga vendet më të preferuar nga turistët e huaj, por edhe shqiptarë dhe të Kosovës”- tha Norja.

Blerim Norja (Foto Linkedin )

Blerim Norja (Foto Linkedin )

Rritja e çmimeve vjen për disa faktorë:

“Ka pasur një rritje të paktën me vjet nga 10 deri ne 20%, por kjo për disa faktorë, që dihen tashmë. Faktori kryesor është rritja e kostove të lëndës së parë, energjisë elektrike, por edhe rënia e kursit të euros e cila ndikon shumë edhe në rritjen e çmimeve. Ne shesim euro por blejme lekë dhe kjo ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve. Ky 10 ose 20% e çmimeve, varet nga hotelet e ndryshme që ka pasur një rritje, mendoj që është një rritje brenda normave të justifikuara për arsye që nuk varen nga hotelet, por thjesht nga kushtet e ekonomisë.”- thotë Norja.

Interesi nga të huajt ka nisur më herët se vitet e tjera.

“Ky vit paraqitet shume i mire, nga fillimi i vitit ka pasur rezervime për sezonin 2023, por duke u bazuar te statistikat e muajit maj dhe qershor, ka nje ndryshim nga sezonet e kaluara, pasi ka qenë shumë e lartë kërkesa nga turistë të huaj, që pjesa më e madhe janë nga Polonia dhe Çekia dhe nga vendet skandinave. Është zvogëuar kërkesa nga shqiptarët e Kosoves, vendet e rajonit dhe diaspora. Nëse vitin e kaluar paraqiteshin në muajin maj dhe qershor 60% e dhomave ishin me turiste teë huaj dhe 40% ishin me shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe diasporës. Këtë vit ka një diferencë, 90% e dhomave jane me të huaj dhe 10% janë me shqiptarë të Kosovës dhe diasporës. Kjo besoj që ka ndikuar edhe te çmimet, pasi në këtë sezon ka pasur një ndryshim të çmimeve”

Pamje nga plazhi i Durrësit (Foto Hotel Royal G)

Pamje nga plazhi i Durrësit (Foto Hotel Royal G)

Vizitorët besnikë në Durrës janë të huaj, të cilët pëlqejnë mikpritjen, gatimet dhe detin.

“Turistët që vizitojnë Durrësin, pjesa më e madhe vijnë nga Polonia, të cilët tregojnë një interes të veçantë për Durrësin dhe për plazhin e Durrësit. Vit për vit perveç se shtohen por ka edhe turistë që kthehen brenda sezonit të paktën dy herë ose vijnë të paktën sezonin e ardhshëm. Shumica e tyre rekomandojnë të vijnë në Durrës ose në përgithësi në Shqipëri njerëzve të tyre të afërt. Polakët e preferojnë Shqipërinë dhe e shohin si një destinacion të dashur. Çmimet kanë qenë joshëse në krahasim me vende të tjera të Europes, por  ndikon edhe  mikëpritja. Turistët e shohin Shqipërinë si një destinacion të ri. Ana pozitive që kemi për momentin janë paketat joshëse, por dhe shërbimit i kushtojmë një rëndësi të veçantë, por edhe  cilësia e ushqimit, pastërtisë, kushteve të hoteleve. Pjesa më e rëndësishme është mikpritja, tradita jonë”

Plazhi i Ksamilit (Foto Scan tv)

Plazhi i Ksamilit (Foto Scan tv)

Pritshmëritë janë pozitive deri në shtator.

“Kërkesat për muajt gusht-shtator për Durrësin janë të ezauruara. Kanë qenë të larta kërkesat për muajt korrik, gusht dhe shtator. Ne si hotel ofrojmë jo vetëm plazhin dhe pishinën, por edhe ture për të vizituar vendet më të bukura që ka Durrësi. Turet tona ofrohen për të njohur historinë e Durrësit, vendet antike, si dhe turistët kalojnë ditë të bukura, pasi ofrojmë dhe ture në qendrat e afërta historike të afërta si Kruja, Berati, që preferohen shumë nga turistët e huaj. Shqipëria po kthehet në një pike strategjike për turistët e Europës. Vitet e ardhshme numri i turistëve do të rritet dhe turizmi në politikat e qeverisë duhet pare me përparësi”

Nisur nga rezervimet për këtë sezon veror, ekspertët  e këtij sektori thonë se viti 2023 pritet të jetë me treguesit më të lartë si përsa i përket sektorit të turizmit bregdetar, ashtu edhe atij malor, duke tejkaluar ndjeshëm periudhën e para pandemisë.