
Foto nga VCG
NATO e ka fortifikuar Vilniusin me armatime të avancuara, në pritje të samitit të aleancës që do të zhvillohet më 11-12 korrik.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe liderë të tjerë të aleancës do të takohen në kryeqytetin lituanez, vetëm 32 km nga kufiri me Bjellorusinë.
Gjashtëmbëdhjetë aleatë të NATO-s kanë dërguar rreth 1000 trupa, ndërsa shumë prej tyre po ofrojnë gjithashtu sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, të cilat u mungojnë shteteve baltike, shkruan “RTSH”.
Vendet baltike të Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë, dikur nën sundimin e Rusisë, por pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian që nga viti 2004, të gjitha shpenzojnë mbi 2% të ekonomive të tyre për mbrojtje.
Por për rajonin me një popullsi prej rreth 6 milionë banorësh, kjo nuk është e mjaftueshme për të mbështetur ushtritë e mëdha, për të investuar në avionët e tyre luftarakë ose në mbrojtje të avancuar ajrore.
Lituania ka trefishuar vendosjen e rojeve në kufijtë me Bjellorusinë.
