Polonia dislokon mbi 1000 trupa të tjera drejt kufirit me Bjellorusinë
2023-07-10 10:42:02

Foto nga VCG

Polonia ka filluar të dislokojë më shumë se 1000 ushtarë shtesë dhe 200 automjete ushtarake drejt kufirit të saj lindor me Bjellorusinë.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, e quajti “Operacioni Podlachia”, njoftoi agjencia polake e lajmeve “PAP”, citon “ATSH”.

Blaszczak tha se Polonia synon të demonstrojë se është e përgatitur të reagojë ndaj çdo përpjekjeje destabilizimi përgjatë kufirit.

Rajoni Podlaskie i Polonisë shënon kufirin midis anëtarit të NATO-s dhe Bjellorusisë. Tensionet përgjatë kufirit me Bjellorusinë janë rritur që pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.

Kohët e fundit, Rusia njoftoi planet për të vendosur armë bërthamore në Bjellorusi dhe presidenti Aleksander Lukashenko tha se vendi mund të presë mijëra mercenarë të grupit “Wagner”.

Liderët e aleatëve të NATO-s, Lituanisë, Polonisë dhe Letonisë, kanë shprehur shqetësimet e tyre për zhvillimet në Bjellorusi në një letër të përbashkët drejtuar anëtarëve të tjerë të aleancës.

Të martën dhe të mërkurën në Lituani pritet të zhvillohet samiti i radhës i NATO-s. (Fatosi)