Foto nga VCG
Në shtator të këtij viti, në qytetin Hangzhou të Kinës Lindore do të zhvillohen Lojërat e 19-ta Aziatike. Pak kohë më parë, në rrënojat arkeologjike të qytetit të lashtë Liangzhu, në periferinë veriperëndimore të Hangzhout, u zhvillua ceremonia e marrjes së pishtarit të këtij evenimenti të madh sportiv. Qyteti i lashtë Liangzhu tërhoqi përsëri një vëmendje të madhe.
Zhvillimi shoqëror i qytetit të lashtë Liangzhu i përket periudhës së fundit të Neolitit para 4000 deri 5300 vjetëve, i cili u zbulua në vitin 1936. Sipas zbulimeve arkeologjike, gjatë periudhës “Liangzhu”, mbjellja e orizit pati një përparim të dukshëm, ndërsa nisën të përdoreshin vegla prodhimi prej guri. Edhe zejtaria artistike në atë kohë arriti në një nivel të lartë. Në rrënojat e qytetit Liangzhu janë zbuluar shumë artikuj nefriti dhe poçeri. Në njërën prej tyre është gdhendur vizatimi i një njeriu me kokën e kafshës, i cili pasqyron idenë e “integrimit të njeriut me qiellin” të paraardhësve kinezë. Pikërisht kjo ide u shndërrua gradualisht në thelbin e kulturës tradicionale kineze.
Krahas këtyre, në mjaft artikuj të tjerë nefriti dhe poçerie janë zbuluar shumë shenja, të cilat afrohen me shkronjat në dinastinë Shang e atë Zhou (1600-256 para erës sonë). Mund të thuhet se Liangzhu është vendlindja e qytetërimit kinez. Më 6 korrik të vitit 2019, rrënojat e qytetit të lashtë Liangzhu u pranuan në listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s.
Sot në rrënojat e qytetit Liangzhu është ndërtuar një muze modern për të shfaqur zbulimet arkeologjike të këtyre rrënojave. Ky muze është bërë gjithashtu një dritare për njohjen e origjinës së qytetërimit kinez. (Fani)