Anija shqiptare, pjesë e operacionit për shpëtimin e emigrantëve në detin Egje
2023-07-10 11:18:29

(Foto nga Facebook ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi)

Anija “Butrinti”, së bashku me një anije greke dhe një turke, shpëtuan 55 emigrantë nga një gomone në vështirësi.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ndau në rrjetet sociale pamje nga ky operacion shpëtimi.

“Në këtë operacion shpëtimi, efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare, treguan përkushtimin e palëkundur për parandalimin e humbjes së jetëve të njerëzve dhe gatishmërinë për të ndihmuar në situata të tilla emergjente”, shkroi ministri Peleshi, përcjell “ATSH”.

Një javë më parë, anija “Butrinti” u nis në misionin e NATO-s “Sea Guardian” në detin Mesdhe.

“Bashkë me aleatët tanë të NATO-s, ne do të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur sigurinë dhe paqen në rajonin tonë”, u shpreh ministri Peleshi. (Fatosi)