Griselda Vogli, mes muzikës dhe psikologjisë
2023-07-09 09:41:06

Këngëtarja Griselda Vogli ka lindur në qytetin e Peqinit, ku ka nisur edhe hapat e para drejt muzikës. Me këmbëngulje  ajo filloi të aktivizohej në festivalet e fëmijëve në qytetin e lindjes, por dhe me aktivitete të ndryshme në Durrës dhe në Tiranë,  në talent show si “The Voice of Albania”. Griselda ka studiuar për Psikologji shkollore dhe është diplomur për Shkenca Sociale në Tiranë, ndonëse vazhdon me pasion e dashuri muzikën, duke performuar çdo natë live në qytetin e Durrësit. Në intervistë për radio Ejani ajo na flet për këngën e saj të re dhe planet për të ardhmen.

Griselda Vogli në interpretimet live (Foto  personale)

Griselda Vogli në interpretimet live (Foto  personale)

CMG: Griselda ke disa vite që interpreron live, kryesisht në qytetin e Durrësit. Si është kjo eksperiencë për ty?

Griselda Vogli: Kjo eksperiencë tashmë është rutina ime e përditshme, por që çdo ditë ka emocione të ndryshme. Kjo nga mënyra se si i trajtoj unë mbrëmjen live dhe si duartrokitem unë nga publiku në çdo mbrëmje të live-t.

Griselda Vogli  (Foto personale)

Griselda Vogli  (Foto personale)

CMG: Ke qenë pjesë e një "The Voice of Albania" dhe që nga ajo kohë nuk i trembesh live-t. Çfarë do të veçoje nga ky spektakël?

Griselda Vogli: Spektakli "The Voice of Albania" do mbetet një nga eksperiencat më të bukura të miat, pasi dëshira ime e vetme në atë kohë, ishte që të evidentohesha si një talent, si një artiste. Nuk ishte primare për mua nëse shkoja gjatë në garë apo jo.

CMG: Së fundi ti ke sjellë mjaft bukur disa covera të artistëve shqiptarë. Si i ka pritur këto këngë publiku që të ndjek ty?

Griselda Vogli: Publiku i ka pritur shumë mirë. Jam e befasuar, por njëkohësisht mjaft e lumtur që po i presin mirë. Coverat i kam sjellë në mënyrën më të thjesht të mundshme. Kam marrë mesazhe dhe vazhdojnë  të më shkruaj gati çdo ditë dhe marr mbështetje pafund. Por do dëshiroja shumë dhe kjo është  një thirrje nga ana ime për artistët e njohur shqiptarë: "Të keni më shumë  mbështetje për  artistët e rinj". Ashtu siç mendoj edhe unë që në të ardhmen të jem një mbështjetje e fortë për talentët dhe artistët e rinj shqiptarë. Nuk kushton asgjë, vetëm mbështetje.

Griselda Vogli në interpretimet  live (Foto personale)

Griselda Vogli në interpretimet  live (Foto personale)

 

CMG: Si është përzgjedhur repertori yt muzikor ku këndon mbrëmjeve?

Griselda Vogli: Prej vitesh interpretoj muzikë live dhe gjatë verës këndoj ‘live’ çdo natë në një nga resortet më të mirë të Golemit, ku mbizotëron qetësia, relaksi, por edhe dashamirësia. Repertori im i ka të përfshira të gjitha zhanret muzikor duke filluar nga këngët e reja, por edhe një mbulim shumë të mirë të trevave shqiptare, jugun, veriun, Shqipërinë e mesme. Nga muzika e huaj interpretoj që nga këngët greke, latine, angleze, franceze, italiane, etj. Mundohem që brenda natës t’i prek nga pak të gjitha këngët e njohura.

Griselda Vogli (Foto  personale)

Griselda Vogli (Foto  personale)

CMG: Griselda ti e ke nisur muzikën që në moshën 9 vjeçare. Si ishin fillimet e tua në muzikë?

Griselda Vogli: Ajo kohë ka qenë shumë e bukur për mua. Teksa sjell ndërmend tani kujtimet e mia të fëmijërisë, më kujtohet që jam paraqitur vetë në Pallatin e Kulturës "Ferdinand Deda" në qytetin e Peqinit , ku u prezantova si vajza e artistit Agron Vogli. Mbaj mend që kam kërkuar të merrja pjesë në festivalin e fëmijëve që zhvillohej atë vit. Pas provave që dhashë u pranova. Ky ishte fillimi i karrierës time artistike, që vazhdon dhe sot.

CMG: Ti ke pasion muzikën, por ke studiuar një tjetër degë. Përse nuk vazhdove muzikën?

Griselda Vogli: Zgjodha të studioja për Psikologji, sepse jam shumë e dashur me njerëzit, e duruar, e nuk lodhem kurrë së dëgjuari. Por është edhe një arsye tjetër se përse zgjodha këtë degë dhe jo muzikën. Pasi u paraqita në fillim në Akademinë e Arteve dëshira ime ishte që të vazhdoja studimet për Kanto. Mësuesja e Kantos pasi më dëgjoi, më tha: "Ti vajzë je shumë e talentuar, të ka falur Zoti një zë shumë të bukur, nuk ke pse e deformon zërin tënd të bukur duke vazhduar për Opera. Vazhdo të këndosh kështu dhe më mirë ndiq një degë tjetër." Kjo fjali më mbeti në vesh dhe në mendje, e më bëri që të zgjidhja një degë tjetër që ishte Psikologjia, por njëkohësisht të vazhdoja muzikën e  të këndoja live.

Griselda Vogli në festivalet e fëmijëve (Foto personale)

Griselda Vogli në festivalet e fëmijëve (Foto personale)

CMG: Ke realizuar një këngë që mban titullin "Zemër". Për kë është dedikim  kjo këngë?

Griselda Vogli: Dedikimi është për bashkëshortin tim, i cili më ka ndjekur në çdo hap të karrierës muzikore. Ka qenë dhe është një mbështetje shumë e madhe.

CMG: Flasim për fabulën e këngës

Griselda Vogli: Fabula e këngës është shumë e thjeshtë. Bëhet fjalë për dy të rinj apo dy adoleshtë,  të cilët jetojnë në të njëjtin vend dhe çdo emocion e përjetojnë si valët e detit që herë vijnë furishëm e herë qetë, si rrezet e diellit që të ngrohin shpirtin.

Griselda  Vogli  (Foto personale)

Griselda  Vogli  (Foto personale)

CMG: Ti ke studiuar për Psikologji, por ku do të jetë fokusi yt në të ardhmen, drejt muzikës apo psikogjisë?

Griselda Vogli: Fokusi im në të ardhmen do të jetë vetëm dhe vetëm drejt muzikës.

CMG: Ke lindur në Peqin, je rritur në Durrës dhe ke marrë pjesë në evente të ndryshme në Peqin, Durrës dhe në Tiranë. Si do i përkufizoje këto tre qytete?

Griselda Vogli: Nga secili  qytet kam marrë gjërat më të mira, që më kanë bërë mua kjo që jam sot.

CMG: Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

Griselda Vogli: Kam shumë plane dhe projekte muzikore, që dëshiroj dhe shpresoj shumë që t’i publikoj sa më shpejt.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese!

Griselda Vogli: Faleminderit ty për intervistën dhe mbështetjen. Gjithashtu dua të falenderoj të gjithë publikun që më ndjek, por edhe të gjithë që më mbështesin. Ju jam shumë mirënjohëse!

 

Intervistoi: Sava Lena