Foto nga VCG
Teksa një valë e pazakontë e të nxehtit ka goditur Kinën, një forum global me temë mbi qytetërimin ekologjik po zhvillohet në Guizhou të Kinës Jugperëndimore. Një pjesë diskutimesh në këtë aktivitet i kushtohen pikërisht ndryshimeve klimatike.
Forumi Global Ekologjik 2023 është i vetmi në rang kombëtar në Kinë mbi qytetërimin ekologjik. Aktiviteti ka nisur të shtunën në qytetin Guiyang, kryeqendrën e provincës Guizhou. Tema e sivjetshme është “modernizimi harmonik mes njerëzimit dhe natyrës - promovimi i zhvillimit të gjelbër dhe me karbon të ulët”, çka ka tërhequr mbi 2.500 pjesëmarrës në aktivitete online dhe offline.
“Unë i kam ndjerë tashmë pasojat e temperaturave globale në rritje” - tha zv.presidenti i Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore (BAII), Danny Alexander në fjalën e rastit të mbajtur në një nënforum. Ai vuri në dukje se këtë verë, shumë krahina në Kinë po përjetojnë një valë të madhe të nxehti, ndërsa vitin e kaluar përmbytje të tmerrshme ndodhën në Pakistanin.
Foto nga VCG
Që nga qershori, shumë krahina në Kinë, duke përfshirë atë Pekin-Tianjin-Hebei dhe Shandong, kanë regjistruar temperatura të larta që i tejkalojnë 40 gradë Celsius, ndërsa departamentet meteorologjike vazhdojnë të lëshojnë alarme për temperatura të larta. Megjithatë moti shumë më i freskët në Guiyang u ofron pjesëmarrësve të këtij forumi një pushim nga nxehtësia përvëluese e kësaj vere.
Këshilltari i lartë për Kinën dhe kreu i zyrës së OECD-së në Pekin, Tamas Hajba tha gjatë forumit se roli i Kinës në trajtimin e ndryshimeve klimatike është shumë i rëndësishëm, duke shtuar se OECD-ja dhe Kina kanë bashkëpunuar për klimën dhe mjedisin prej shumë vitesh. Ai shtoi se Kina ka shumë përvoja dhe shumë për të ndarë me botën, pasi është një vend lider në aplikimin e energjive të ripërtëritshme në botë, si panelet diellore, automjetet me energji të reja (NEV) dhe bateritë.
Foto nga VCG
Kina ka deklaruar se do të arrijë kulmin e emetimeve të dioksidit të karbonit deri në vitin 2030 dhe neutralitetin deri në vitin 2060. Për të arritur këtë, autoritetet kineze kanë prezantuar një sërë masash për të rritur përdorimin e energjisë së ripërtëritëshme dhe pakësimin e lëshimit të karbonit.
Në këtë drejtim, Kina ka patur përparime të jashtëzakonshme. Të dhënat nga Administrata Kombëtare e Energjisë treguan se kapaciteti i instaluar i energjisë së pastër të Kinës është rritur në pesë muajt e parë të këtij viti. Deri në fund të majit, kapaciteti i instaluar i energjisë së erës ishte rritur me 12.7% nga viti në vit, në rreth 380 milionë kilovat, ndërsa ai i energjisë diellore rreth 450 milionë kilovat, një rritje me 38.4% se një vit më parë.
Zv.presidenti i Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore tha se synimi i Kinës mbi pikun dhe neutralitetin e karbonit do të jenë kontribute kyçe për botën në pakësimin e emetimeve si edhe në ndarjen e përvojave me të tjerët. (Jiang Lei)