Shangai: Hapet Konferenca Botërore e Inteligjencës Artificiale
2023-07-07 11:20:53

Foto nga VCG

Të enjten në Shangai u hap Konferenca Botërore  e Inteligjencës Artificiale, me temë "Ndërlidhshmëria inteligjente: Krijimi i së ardhmes".

Konferenca, që do të mbyllet të shtunën, përfshin katër seksione: forum, ekspozitë, konkurs e dhënie të çmimeve. 

Sivjet kjo konferencë synon të hedhë dritë mbi rrugët e reja për përparimet industriale dhe teknologjike, duke nxitur inovacionin dhe zhvillimin e brezit të ardhshëm të inteligjencës artificiale.

Në këtë konferencë janë paraqitur mbi 30 modele të inteligjencës artificiale, për të treguar ndikimin e thellë të tyre në fusha të ndryshme.

Mbi 1 400 të ftuar të shquar kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, duke përfshirë katër laureatë të çmimeve "Nobel" dhe "Turing", mbi 80 akademikë nga Kina e vende të tjera, si edhe më shumë se 50 pionierë sipërmarrjesh nga gjigantët e njohur të teknologjisë, si "Huawei", "Alibaba", "Apple" dhe "Tesla".

Konferenca e këtij viti dallohet për numrin më të madh të ekspozuesve dhe zonën më të madhe të ekspozimit në historinë e saj. (Çang Çuo)