Përfundoi me sukses edicioni i 9-të i Festivalit Folklorik të Fëmijëve Talent të Rinj “Nacional Shqiptar” i titulluar; “Urime talentë të rinj, bijtë e bija, yje të nënës Shqipëri”. Në festival morën pjesë fëmijë dhe të rinj shqiptar që jetojnë në emigracion, të cilët erdhën në Shqipëri nga 15 shtete të botës, për të marë pjesë në këtë festival folklorik. Shoqata Kulturore Artistike “Jehona Shqiptare” organizoi aktivitetin artistik dedikuar promovimit të fëmijëve talente, ku pjesëmarrës ishin fëmijë nga Diaspora të moshës 5-15 vjeçare. Ky projekt u realizua nga autore Zamira Korançe, certifikuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, drejtoria e të drejtave të autorit, partner ekskluziv i veprës artistike folklorike, si dhe Bashkia Tiranë.
Veprimtaria nisi me manifestimin e kostumeve popullore nga sheshi “Skënderbej”, ku morën pjesë 35 grupe artistike nga anekënd botës ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Grupet artistike të veshur me kostume mahnitëse tradicionale të trevave shqiptare, parakaluan përmes bulevardit “Dëshmorët e kombit”, duke u stacionuar në sallën e arteve “Tonin Harapi” në Tiranë, ku u ndanë çmimet për 5 disiplinat folklorike që përfshiu ky projekt si: Kostumet tradicionale folklorike kombëtare, Këngë folklorike, Valle folklorike,Instrumentale folklorike dhe Recitime me lirika kombëtare. E ftuar në Radio Ejani foli për këtë aktivitet autorja e këtij projekti Zamira Koraçe.
CMG: Na tregoni për mbarëvajtjen e këtij festivali?
Zamira Korançe: Ky projekt është mbarëkombëtar ku ftojmë fëmijë nga 15 shtete të botës, të cilët janë në emigracion. Fëmijët që marrin pjesë janë nga mosha 5-15 vjeç. Festivali përmbledh 5 disiplina folklorike, por është e rëndësishme se ne kemi vendosur edhe recitimet folklorike si pjesë e konkursit, në mënyrë që fëmijët shqiptarë kudo që ndodhen të mos e harrojnë gjuhën shqipe, por të recitojnë shqip. Kur fëmijët shititën në qendër të Tiranës me veshjet tradicionale shqiptare, kostumet popullore, ishin të pranishëm në Tiranë atë ditë dhe sidomos të huajt, u mahnitën me veshjet e bukura kombëtare. Ky është qëllimi kryesor i mbarëvajtjes së këtij projekti, që fëmijët e vegjël të trashëgojnë gjithçka nga kultura shqiptare.
CMG: Sa konkurentë ka pasur ky aktivitet?
Zamira Korançe: Në këtë festival janë promovuar 35 grupe nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët kanë qenë të pranishëm në finale, por edhe 25 artistë të cilët konkuruan në mënyrë individuale, ku garuan në pesë disiplina dhe në fund u certifikuan nga Nderi i Kombit, Presidente e Nderit Margarita Xhepa.
CMG: Si u vlerësuan artistët e rinj në këtë festival folklorik?
Zamira Korançe: Artistët u vlerësuan nga juria e përbërë nga artistja Liri Rasha, Lirie Stafa kostumjere e njohur, Baftjar Çera, Aida Gjini koreografe, këshilltare Kozeta Zavalani, dy asistentet e jurisë Prof.Dudjana Lela, dhe prof Teuta Bicaku. Ramazan Luga ishte në jurinë e aktorëve në disiplinën e recitimit. Një falenderim shkon për presidentin e festivalit z. Demir Rusi, zv presidenten e festivalit znj. Bujana Malaj, gjithashtu në mbështetje të talentëve të rinj është edhe prof. Trandafile Molla, e cila është drejtoreshë e gjithë grupeve të Diasporës. Zëvendësi Dr.Ramazan Beja erdhi nga Italia, po nga Italia erdhi Prena Prendi. Nuk lë dot pa përmendur stafin e festivalit me regjisor Prof. Bajram Torba, prezantueset Anila Kodra dhe Klea Rrapi që vezulluan në prezantimin e tyre. Falenderoj Jakup Krasniqin që është kryetari i degës së Jehonës në Dardani, ku janë përfaqësues 150 fëmijë talente, si dhe drejtorin Artistik Z. Ferit Hoxha, falenderoj për mbështetjen në gjithë këto vite Dr. Hajri Elezin, si dhe ambasadoren e paqes dhe humanizmit e cila ndodhet përtej Oqeanit prof. Mimoza Hamitaj.
CMG: Sa çmime u ndanë në këtë festival folklorik të fëmijëve?
Zamira Korançe: Ngaqë ishin shumë grupe pjesëmarrëse, ne për pesë disiplina kemi ndarë 15 çmime të treta, 10 çmime të dyta, dhe 5 çmime të para. Këto 30 çmime u vlerësuan nga juria e disiplinave përkatëse. Kemi dhënë çmimin ekskluziv të kostumit më të lashtë shekullor kombëtar që për këtë vit u dorëzua në Dardani, në Kosovë. Ju dorëzua çmimi kostumit "Ilir" ky kostum shekullor, gjithashtu ju dorëzua një tjetër çmim Malishevës, një çmim Pukës si dhe çmimi tjetër shekullor ju dhurua Bulqizës. Por kostumi më unik me elementët e lashtësisë "Ilire" është ai për të cilën ndjehemi krenarë të gjithë. Këto çmime i ndau producenti Zef Shtjefni dhe prof. Demir Rusi.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese!
Zamira Korançe: Falenderoj radio Ejani, por dua të falenderoj dhe dy fotoreporterët e aktivitetit Gani Kryeziu dhe .Kristaq Janushi. Falenderoj të gjithë pjesëmarrësit, të gjithë mësuesit, prindërit dhe fëmijët që konkuruan në këtë edicion të 9-të të festivalit folklorik.
Intervistoi: Sava Lena