Qyteti verilindor kinez përparon me tregtinë e prodhimeve të detit
2023-07-06 11:17:01

Hunchun, në provincën Jilin në verilindje të Kinës, ka arritur përparim duke u fokusuar në tregtinë e prodhimeve të detit, ka zhvilluar fuqishëm ekonominë detare dhe është miratuar si e vetmja zonë kombëtare demonstruese e zhvillimit ekonomik detar që nuk është drejtpërdrejt bregdetare. Kjo zonë është fokusuar në zhvillimin e ekonomisë detare dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Qyteti beson fort se ndërtimi i më shumë projekteve do të shërbejë si një motor dhe themel i fortë për rritjen e ekonomisë detare dhe qyteti ka përqafuar tashmë mundësi të reja biznesi.


China Daily

Qyteti verilindor kinez përparon me tregtinë e prodhimeve të detit

Wang Jindong nuk e imagjinonte kurrë më parë që të siguronte jetesën duke shitur prodhime deti në një qytet të vogël pa dalje në det në Kinën verilindore. Por tani, në një kthesë të çuditshme të fatit, Wang është bërë i njohur gjerësisht në industrinë e prodhimeve të detit, si “mbreti i gaforreve mbretërore”.

“Unë udhëtova nëpër qytete të shumta portuale përpara se të vendosesha më në fund në Hunchun. Pavarësisht se është e largët, ajo është një tokë me thesare dhe ka qasje në oqeanin Paqësor”,- tha tregtari.

Hunchun është një qytet në Prefekturën Autonome të Kombësisë Koreane Yanbian, në provincën Jilin në verilindje të Kinës. Ai ndodhet rreth 15 kilometra larg Detit të Japonisë. Qyteti, i cili arriti një përparim duke u fokusuar në tregtinë e prodhimeve të detit, ka zhvilluar fuqishëm ekonominë e tij detare dhe është miratuar si e vetmja zonë kombëtare demonstruese e zhvillimit ekonomik detar që nuk është drejtpërdrejt bregdetare.

Hunchun ka marrë një rrugë unike drejt zhvillimit duke shfrytëzuar pikat e forta dhe duke devijuar nga normat konvencionale.

Pavarësisht mungesës së aksesit të drejtpërdrejtë në portet detare, vijat bregdetare dhe burime të tjera, qyteti, i vendosur në kryqëzimin e Kinës, Rusisë dhe Republikës Popullore Demokratike të Koresë, është i rrethuar nga disa porte ruse të cilësisë së lartë. Ky ishte kombinimi i duhur për Wang, i cili shfrytëzoi mundësinë për të krijuar “Hehe Seafood Co” në parkun industrial detar të zonës demonstruese të bashkëpunimit ndërkombëtar Hunchun. Gaforret mbretërore të kapura në thellësi të detit në Rusi dërgohen në Hunchun një ditë më pas dhe shpërndahen në rajone të ndryshme në Kinë, duke ndihmuar biznesin e Wang të zgjerohet vazhdimisht.

Në vitin 2021, kompania e tij importoi 4260 tonë gaforre mbretërore dhe prodhime të tjera deti nga Rusia, duke arritur një vlerë tregtare prej 1.26 miliardë juanë (173.7 milionë dollarë). Pavarësisht se është afër detit, Hunchun nuk është drejtpërdrejt bregdetar. Dikur ishte një qytet kufitar, pa shumë zhvillim, por me hapjen e autostradës Changchun-Hunchun, hekurudhës ndërqytetëse Changchun-Hunchun dhe rifillimin e hekurudhës Hunchun-Makhalino midis Kinës dhe Rusisë, Hunchun ka zbatuar me sukses një strategji të përdorimit të porteve të afërta për tregtinë detare.

Xinhua

Xinhua

Partnerët e tregtisë së jashtme të Hunchun tani mbulojnë 72 vende dhe rajone globalisht, duke përfshirë Azinë, Evropën dhe Amerikën e Veriut. Hunchun ka formuar një zinxhir gjithëpërfshirës industrial që përfshin tregtinë dhe përpunimin e prodhimeve të detit me zinxhir të ftohtë. Qyteti ka tërhequr më shumë se 20 kompani të përpunimit të produkteve detare dhe mbi 100 ndërmarrje tregtare të prodhimeve të detit. Në fakt, vëllimi i gaforreve të gjalla që Hunchun importon nga Rusia përbën rreth 80 për qind të totalit të importeve të gaforreve të gjalla të Kinës nga Rusia, sipas qeverisë lokale.

“Hunchun do të përshpejtojë më tej ndërtimin e infrastrukturës së transportit që lidh Azinë Verilindore dhe do të shndërrohet në një qendër logjistike kombëtare”,-tha Sheng Xiaoru, një zyrtar partiak në Hunchun.

Vitin e kaluar, xhiroja e portit në Hunchun arriti në 3.92 milionë tonë, 22.6 për qind më shumë në bazë vjetore.

Vlera totale e tregtisë së jashtme të saj ishte 15.3 miliardë juanë, 44.1 për qind më shumë se një vit më parë dhe duke arritur një rekord të lartë, bëhet e ditur nga autoritetet lokale.

Në dy muajt e parë të vitit, megjithë kërkesën relativisht të dobët globalisht, vlera totale e importit dhe eksportit të saj arriti në 3.16 miliardë juanë, 31.7 për qind më shumë në bazë vjetore, që përbënte 13.3 për qind të vlerës totale të tregtisë së jashtme të provincës.

Vitet e fundit, Jilin ka krijuar disa rrugë detare të huaja për tregtinë e brendshme. Ajo ka dërguar mallra në portet kryesore kineze si Ningbo, provinca Zhejiang; Qingdao, provinca Shandong; dhe Shangai nëpërmjet portit Zarubino në Rusi. Ky është bërë një kanal i rëndësishëm komunikimi dhe bashkëpunimi që lidh Kinën Verilindore me rajonin Pekin-Tianjin –Hebei,  deltën e lumit Yangtze dhe deltën e lumit Pearl. Ndërkohë, Hunchun ka përmirësuar më tej mekanizmin e koordinimit të zhdoganimit me hekurudhat, Doganat dhe organizata të tjera për të përmirësuar vazhdimisht nivelin e hapjes.

Në Parkun Industrial Ndërkufitar të Tregtisë Elektronike Hunchun në Azinë Verilindore, janë në shitje një shumëllojshmëri produktesh - duke përfshirë ushqimin, kimikatet e përdorura në jetën e përditshme dhe produktet artizanale nga Republika e Koresë, Japonia, Rusia dhe vende të tjera.

Nga miratimi si një nga qytetet e para kufitare që u hap me botën në 1992 deri në krijimin e një zone demonstrimi të zhvillimit ekonomik detar në 2020, Hunchun është fokusuar në zhvillimin e ekonomisë detare dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Kjo prirje është përshpejtuar me hapjen e mëtejshme të Kinës dhe me nismën “Një brez, një rrugë”. Hunchun beson fort se ndërtimi i më shumë projekteve do të shërbejë si një motor dhe themel i fortë për rritjen e ekonomisë detare dhe qyteti ka përqafuar tashmë mundësi të reja biznesi.

Në “Hunchun Laoji Food Co Ltd”, që ndodhet në bazën industriale të uljes dhe përpunimit të mallrave të tregtisë së përbashkët Jilin Hunchun, punëtorët janë duke prerë, përpunuar dhe paketuar me zell produkte të ndryshme ushqimore deti.

Këto gatime të përgatitura do të dërgohen në rajone në mbarë vendin dhe konsumatorët mund të shijojnë lehtësisht një festë me ushqime deti thjesht duke i ngrohur pjatat. Ushqimi kinez gjysmë i gatuar dhe i ngrirë kërkon vetëm rinxehje të thjeshtë dhe mund të dorëzohet me garanci të cilësisë. Një ushqim i tillë është bërë gjithnjë e më i popullarizuar që nga pandemia e Covid-19, duke qenë se përfshihet vetëm përgatitja minimale. “Hunchun është i bekuar me burime të bollshme prodhimesh deti dhe industria e përpunimit ka një themel të fortë. Ne kemi identifikuar dhe shfrytëzuar avantazhe të tilla. Ne kemi zgjeruar linjën tonë të biznesit dhe kemi zhvilluar me sukses rreth 20 lloje të pjatave të detit të gatuara paraprakisht, të cilat kanë qenë shumë të njohura në treg”, tha Li Jing, përfaqësues i “Hunchun Laoji Food”.

Deri në vitin 2031, shitjet vjetore të tregut të ushqimeve të gatshme në Kinë parashikohet të kalojnë 1 trilion juanë, duke u rritur me rreth 60 për qind nga 634.1 miliardë juanë në vitin 2026, sipas një raporti kërkimor nga “CITIC Securities”.