Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen udhëton të enjten drejt Kinës për t’u takuar me zyrtarë të lartë në kuadrin e përpjekjeve më të fundit për të diskutuar rreth marrëdhieve të tensionuara mes dy vendeve.

Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen mbërriti në Pekin, 6 korrik 2023(Foto:VCG)
Departamenti i Thesarit i ShBA-së njoftoi në një deklaratë më herët këtë javë se vizita e zonjës Yellen do të vazhdonte deri të dielën dhe se bëhet me udhëzimin e Presidentit Joe Biden, për të thelluar komunikimin për një sërë çështjesh, përfshirë zhvillimet financiare dhe makroekonominë globale.
“Gjatë qëndrimit në Pekin, Sekretarja Yellen do të diskutojë me zyrtarët (kinezë) se sa e rëndësishme është që dy vendet – dy ekonomitë më të mëdha të botës – të menaxhojnë me përgjegjshmëri marrëdhënien, të komunikojnë drejtpërdrejt për fushat që kanë shqetësim, të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat globale”, thuhet në deklaratë.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit u tha gazetarëve të dielën se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë një marrëdhënie të shëndetshme ekonomike me Kinën dhe se ndalja e plotë e tregtisë dhe investimeve “do të ishte destabilizuese për të dyja vendet tona dhe për ekonominë globale”.
Vizita e zonjës Yellen pason udhëtimin e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Kinë muajin e kaluar, ku ai ra dakort me Presidentin Xi Jinping të stabilizojnë marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe të sigurohen që pikat e mosmarrëveshjeve të mos shndërrohen në konflikt.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë dy ekonomitë më të mëdha të botës dhe arritën rekorde të reja në vitin 2022 në tregtinë mes tyre. Megjithatë tensionet për tregtinë dhe sigurinë vazhdojnë të jenë domethënëse.
Zonja Yellen foli për marrëdhëniet SHBA-Kinë gjatë një fjalimi në prill në Universitetin Johns Hopkins. Ajo tha se do të ishte më e shëndetshme të ekzistonte një marrëdhënie që inkurajon rritjen dhe novacionin në të dyja vendet.
