Punonjës shpëtimi dhe fonde ndihme shtesë pas përmbytjeve në Chongqing
2023-07-06 14:24:07

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pesëmbëdhjetë të vdekur dhe katër të zhdukur deri në orën 7 të mëngjesit të së mërkurës  është bilanci i shirave të rrëmbyeshëm që kanë rënë kohët e fundit në Chongqing të Kinës Jugperëndimore.

Reshjet e mëdha, kryesisht në zonat përgjatë lumit Jance, kanë shkaktuar përmbytje dhe katastrofa gjeologjike, duke prekur jetën e më shumë se 130 000 banorëve në 19 distrikte dhe konte, sipas Zyrës së Menaxhimit të Emergjencave të Bashkisë së Chongqing-ut të mërkurën.

Mbi 7 500 hektarë kultura janë dëmtuar, tha zyra në një deklaratë.

Distrikti Wanzhou i Chongqing-ut është më e prekuri, me sasi të reshjeve të shiut që arritën deri në 261.2 milimetra. Deri të mërkurën, shiu kishte shkaktuar rrënimin e 138 shtëpive dhe dëmtimin e 221 të tjerave në këtë zonë. Mbi 1 949 hektarë kultura bujqësore janë dëmtuar gjithashtu.

Të martën, Komisioni Kombëtar për Pakësimin e Katastrofave dhe Ministria kineze e Menaxhimit të Emergjencave e ngritën shkallën e reagimit në Nivelin IV dhe dërguan një grup pune në distriktin Wanzhou për të udhëhequr punën e ndihmës.

Mijëra punonjës shpëtimi u dërguan në vijën e parë, ndërsa distrikti Wanzhou çoi më shumë se 2 500 forca emergjence.

Deri tani, më shumë se 4 500 veta jane evakuuar të sigurt. 11 lumenj, që më parë i kishin tejkaluar nivelet e alarmit për shkak të fryrjes nga shirat e shumtë, tashmë kanë rënë nën këto nivele.