Foto nga VCG
Të martën, me përfshirjen e Iranit, numri i vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) arriti në nëntë. Kjo organizatë, që fokusohet në sigurinë, zhvillimin e bashkëpunimin, po ofron energji pozitive për paqen dhe qëndrueshmërinë e Azisë, të Evropës dhe të botës.
Po atë ditë, presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë me anë të videos në mbledhjen e 23-të të Këshillit të Krerëve të Shtetit të OBSh-së dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm. Lidhur me zhvillimin e OBSh-së, presidenti Xi paraqiti pesë propozime, duke përfshirën integrimin e Nismës së Sigurisë Globale, Nismës së Zhvillimit Global dhe Nismës së Qytetërimit Global.
Gjatë 20 vjetëve pas krijimit të OBSh-së, nën udhëheqjen e "Shpirtit të Shangait", vendet nga rajone të ndryshme, me qytetërime të ndryshme dhe modele të ndryshme zhvillimi, kanë ecur së bashku në një rrugë të re zhvillimi të një organizate ndërkombëtare me partneritet e jo aleancë, me dialog e jo kundërvënie.
Bota e tanishme është shumë e ndërlikuar. Si organizata që përfshin numrin më të madh të banorëve dhe më e gjerë e bashkëpunimit rajonal në botë, OBSh-ja ende përballet me kërcënimet e ndërthurura të sigurisë tradicionale dhe asaj jotradicionale. Në të njëjtën kohë, paqëndrueshmëria dhe pasiguria e ekonomisë botërore kanë rritur vështirësitë e zhvillimit dhe rigjallërimit të vendeve anëtare të OBSh-së.
Foto nga VCG
Përballë ndryshimeve brenda e jashtë organizatës, pala kineze propozoi të forcohet bashkërendimi, të zgjidhen mosmarrëveshjet nëpërmjet dialogut dhe të kapërcehet konkurrenca nëpërmjet bashkëpunimit, duke hartuar politika të jashtme të pavarura mbi bazën e interesave të rajonit dhe duke i marrë vetë në dorë fatet e zhvillimit të vendit. Këto propozime do ta ndihmojnë OBSh-në të shmangë ndërhyrjet, t'i qëndrojë shkatërrimit nga forcat e jashtme dhe të ecë në drejtimin e duhur.
Samiti i OBSh-së e pranoi zyrtarisht Iranin si vend anëtar dhe të gjitha palët nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit mbi detyrimet e Bjellorusisë për t'u bashkuar me organizatën. OBSh-ja ruan sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar. Zgjerimi i "sferës së miqve" të OBSh-së do të nxitë ecjen e qeverisjes globale në një rrugë më të drejtë e më të arsyeshme.
Sivjet është 10-vjetori i nismës "Një brez, një rrugë", e cila u paraqit për herë të parë pikërisht në një vend të OBSh-së. Gjatë këtyre 10 vjetëve, një grup projektesh të ndërlidhshmërisë ka nxitur zhvillimin e vendeve anëtare të OBSh-së. Në Deklaratën e Nju-Delhit të miratuar në këtë samit, shumica dërrmuese e vendeve anëtare rikonfirmuan mbështetjen e tyre për nismën "Një brez, një rrugë" të propozuar nga Kina.
Foto nga Xinhua
Në samit, Kina bëri thirrje për forcimin e lidhjes ndërmjet ndërtimit të përbashkët cilësor të "Një brez, një rrugë" dhe strategjive të zhvillimit të vendeve të tjera e nismave të bashkëpunimit rajonal, duke promovuar liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë dhe investimeve. Gjithashtu, pala kineze parashtroi disa sugjerime largpamëse, duke përfshirë zgjerimin e pjesës së pagesës me monedha kombëtare të organizatës, zgjerimin e bashkëpunimit lidhur me monedhat digjitale sovrane, promovimin e krijimit të Bankës së Zhvillimit të OBSh-së etj. Mehmood ul-Hassan Khan, drejtori i Qendrës së Studimeve për Azinë Jugore dhe Botën të Islamabadit, mendon se vendet anëtarë e kanë pritur për një kohë të gjatë krijimin e Bankës së Zhvillimit të kësaj organizate. Sipas tij, nëse mund të realizohet një gjë e tillë, kjo mund të sjellë nxitjen e lulëzimit dhe të zhvillimit të vendeve anëtare të OBSh-së. (Çang Çuo)