Kuptimi kulturor i maskotëve të Lojërave Aziatike të Hangzhout
2023-07-06 23:56:05

foto nga CFP

Tre maskotët e Lojërave Aziatike të Hangzhout "Jiang Nan Yi"/ foto nga CFP

Mbeten dy muaj e gjysmë para hapjes së Lojërave Aziatike të Hangzhout dhe me këtë rast, tre maskotët e këtyre lojërave janë gjithnjë e më të pranishëm para syve të publikut.

Hangzhou, që ndodhet në zonën bregdetare të Kinës Juglindore, ka një histori shumë të lashtë. Fosilet në shpellën "Ugui" vërtetojnë veprimet e njeriut të lashtë para 50 mijë vjetëve në këtë rajon, rrënoja e urës "Kuahu" dëshmon jetën e atjeshme të njeriut modern para 8 mijë vjetëve, ndërsa rrënoja e kulturës "Liangzhu" pranë Hangzhout me një histori gati 4700-vjeçare titullohet "drita e parë e mëngjesit të qytetërimit". Hangzhou përfshihet në shtatë kryeqendrat e lashta kineze dhe është një ndër qytetet e para të famshme historike e kulturore të vendit. Tre maskotët e Lojërave Aziatike të Hangzhout kanë lidhje të ngushtë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti. 

Emri i përbashkët i këtij kompleksi maskotësh quhet "Jiang Nan Yi", që simbolizon kujtesën për jugun e lumit Jance, që ka qenë zona më e begatë e Kinës, me shumë kulturë e dijetarë të famshëm dhe me një panoramë të veçantë. Ky emër vjen nga vargjet e poetit të famshëm të dinastisë Tang, Bai Juyi:

“Jugun e Jancesë mbaj në kujtesë,

Hangzhou më lë tepër mbresë”. 

Secili nga tre maskotët kanë dhe emrat e tyre të veçantë, të cilët pasqyrojnë aspektet e ndryshme të qytetit Hangzhou:

Congcong, një nga maskoti i Lojërave Aziatike të Hangzhout / foto nga CFP

Congcong

Maskoti me ngjyrë të verdhë quhet "Congcong". Ky emër ka të bëjë me rrënojën e kulturës "Liangzhu", që ndodhet në distriktin Yuhang të qytetit Hangzhou. Kjo kulturë i përket fazës së fundit të Neolitit, në periudhën nga 3300 - 2300 para erës sonë. Rrënoja "Liangzhu" është ndër shembujt e qytetërimit urban të fazës së hershme të njerëzimit dhe dëshmon historinë 5.000-vjeçare të qytetërimit kinez. Ajo u përfshi në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në korrik të vitit 2019.

Relikt nefriti "Cong" nga rrënoja "Liangzhu", që ruhet në Muzeun Zhejiang/ foto nga CFP

Skica unike e kulturës "Liangzhu" në reliktin e nefritit "Cong"/ foto nga CFP

Nga rrënoja "Liangzhu" u nxorrën shumë relikte nefriti dhe njëri prej tyre quhet "Cong", që është një send në formë cilindrike, por me sipërfaqe katrore. Kjo formë pasqyron konceptin e kinezëve të lashtë për botën, d.m.th., qielli është i rrumbullakët dhe toka katrore. "Cong" u përdor për ceremoninë e flijimit në kohën e lashtë dhe simbolizon autoritetin e Zotit. Në sipërfaqen e shumë relikteve "Cong" nga rrënoja "Liangzhu" gjendet një skicë e veçantë, me një njëri të shenjtë të ulur në një kafshë. Kjo skicë shërben edhe si stemë unike e relikteve të kulturës "Liangzhu", që zgjati afro 1 mijë vjet. Kapela e maskotit "Congcong" është pikërisht në fomën e kësaj skice unike të kulturës "Liangzhu". Ndërsa ngjyra e verdhë e maskotit nënkupton prejardhjen e lashtë të kinezëve me lëkurën e verdhë.

Lianlian, një nga maskoti i Lojërave Aziatike të Hangzhout / foto nga CFP

Lianlian

Imazhi në ngjyrë jeshile është "Lianlian", që në gjuhën kineze do të thotë lotus (zambak). Kapela e këtij maskoti është në formën e gjethes së lotusit, ndërsa në majën e kapelës vendoset një kullë në formën tradicionale kineze. Lotusi dhe kulla vijnë nga panomarat e liqenit Xihu (Liqeni Perëndimor) në qytetin Hangzhou.

foto nga CFP

foto nga CFP

Qyteti Hangzhou u ndërtua rreth liqenit Xihu, që ishte një lagunë. Ndër dhjetë panoramat më të famshme të liqenit Xihu, "Tre Kullat që Pasqyrojnë Hënën" renditet në vendin e parë. “Tre Kullat” është bërë dhe skica e katërmonedhës kineze me vlerë një juan. Ato u ndërtuan në dinastinë Song nga poeti i famshëm Su Dongpo, kur punonte në Hangzhou si kryebashkiak i këtij qyteti. Ai sistemoi ujërat në liqen, duke hequr baltën në fund të tij dhe duke vendosur tre kulla për të shënuar nivelin e ujit. Ndoshta poeti nuk e kishte menduar kurrë se kullat me funksionin e tyre hidrologjik do të shndërroheshin më vonë në panoramat më tërheqëse të liqenit Xihu.

Edhe figura e lotusit është nga dhjetë panoramat më të famshme të liqenit Xihu, "Lotusi i Lëvizur nga Era në Kopshtin Quyuan". Ngjyra jeshile e maskotit “Lianlian” është nga gjethet e lotusit.

foto

Chenchen, një nga maskoti i Lojërave Aziatike të Hangzhout / foto nga CFP

Chenchen

Maskoti i tretë në ngjyrë blu quhet “Chenchen”, që vjen nga ura “Gongchen”. Kjo është një urë simbolike në Kanalin e Madh Pekin-Hangzhou, sepse ajo shënon pikarritjen e lumit artificial më të gjatë në botë.

Kanali i Madh është me një gjatësi prej 2.700 kilometrash dhe me historinë më të lashtë, prej mbi 2500 vitesh. Ai filloi të ndërtohej në vitin 486 para erës sonë dhe përshkon tetë krahina provinciale, duke lidhur Pekinin, qendrën politike të Kinës në veri të vendit gjatë dinastive Yuan, Ming dhe Qing, dhe Hangzhoun, qendrën ekonomike në jugun e vendit. Kanali i Madh gjithashtu lidh pesë lumenj të mëdhenj. Ai shërbeu si arterie e rëndësishme transporti mes jugut dhe veriut që nga Kina e lashtë.

Ura “Gongchen” në Kanalin e Madh/ foto nga CFP

Kanali i Madh së bashku me Murin e Madh Kinez konsiderohen si dy kryeveprat artificiale më madhështore në Kinë dhe në kohën e lashtë të dy ishin veprat më të rëndësishme të vendit, të cilat lidhen me lulëzimin dhe rënien e dinastive.

Më 22 qershor 2014, Kanali i Madh u përfshi në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s, duke u bërë Trashëgimia e 46-të Botërore e Kinës.

Kapela e maskotit “Chenchen” simbolizon tre harqet e urës “Gongchen”. Bluja nënkupton ngjyrën e lumit.

Qendra Olimpike në qytetin Hangzhou/ foto nga CFP

Jiang Nan Yi

Krahas përmbajtjeve të pasura kulturore, kompleksi i maskotëve "Jiang Nan Yi" ka dhe elementë modernë dhe plot gjallëri, ashtu si qyteti Hangzhou.

Figura e këtyre tre maskotëve është roboti, që simbolizon forcën konkurruese tekniko-shkencore të qytetit Hangzhou, kryeqendra e provincës Zhejiang dhe një nga më të zhvilluarat në vend.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare, në Hangzhou ka aktualisht 42 kompani “njëbrirëshe” (me vlerë aksionare prej mbi 1 miliardë dollarësh amerikanë) si dhe 354 kompani gati “njëbrirëshe” (me vlerë prej mbi 100 milionë dollarësh), që merren me internetin, inteligjencën artificiale, materialet gjysmëpërçuese, logjistikën, automjetet elektrike, mjekësi e farmaci etj. Më e famshmja prej tyre është grupi “Alibaba”.

Tre maskotët “Jiang Nan Yi” së bashku me banorët mikpritës të Hangzhout po presin ardhjen e sportistëve e mysafirëve nga vende dhe rajone të ndryshme aziatike, për të përjetuar një veprimtari madhështore sportive pas epidemisë. (Wang Lei/ Laçi)