Dukuria "El Niño" është zhvilluar në Paqësorin tropikal për herë të parë në shtatë vjet, deklaroi Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) të martën, duke çuar në një rritje të mundshme të temperaturave globale.
"El Niño" ndodh mesatarisht çdo dy deri në shtatë vjet, dhe episodet zakonisht zgjasin nëntë deri në 12 muaj. Gjatë një ngjarjeje "El Niño", Paqësori tropikal bëhet më i ngrohtë se zakonisht. Kjo, nga ana tjetër, ndikon në qarkullimin e erës, temperaturën e ajrit dhe modelet e reshjeve, duke ndikuar në motin në mbarë botën.

(Foto:CGTN)
Gjatë ngjarjeve "El Niño", uji më i ngrohtë i shtyn rrymat e forta të ajrit të Paqësorit më tej në jug dhe në lindje. Kjo mund të shkaktojë mot ekstrem, si reshje shiu, temperatura jashtëzakonisht të larta dhe thatësirë.
Një përditësim i ri nga WMO-ja parashikon gjithashtu se ka një mundësi prej 90 % që ngjarja "El Niño" të vazhdojë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023. Pritet të jetë të paktën me forcë të moderuar. Tre ngjarje shumë të forta "El Niño" ndodhën në vitet 1982-1983, 1997-1998 dhe 2014-2016.
Sipas studimit të fundit lidhur me "El Niño"-n të publikuar në revistën “Science” në maj, humbjet ekonomike globale mund të arrijnë në 84 trilionë dollarë deri në fund të shekullit të 21-të për shkak të rritjes së shpeshtësisë dhe fuqisë së ngjarjeve të ardhshme "El Niño". Autorët e artikullit zbuluan gjithashtu se një ngjarje e fuqishme "El Niño" nga 1997 deri më 1998 i mori 5.7 trilion dollarë GDP-së botërore dhe ajo e viteve 1982-1983 e uli me 4.1 trilionë dollarë. Vlen gjithashtu të theksohet se viti më i nxehtë i regjistruar, 2016, ishte gjithashtu vit "El Niño", me 0.99 gradë celsius temperaturë më të lartë mbi nivelin mesatar të shekullit të 20-të prej 13.9 gradë celsius, sipas të dhënave të Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të ShBA-së (NOAA).
Pasi viti 2022 ishte dëshmitar i një sërë tragjedish të shkaktuara nga valët e të nxehtit, moti ekstrem po arrin kulme të reja dhe po rishkruan historinë klimatike në vitin 2023. Duke filluar nga prilli, temperaturat po rriten në pjesë të Evropës, Azisë dhe Amerikës së Veriut. Në kushte jashtëzakonisht të larta të temperaturës, është e rëndësishme të mbroni veten kundër të nxehtit dhe sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë, si goditja nga nxehtësia.

(Foto:CGTN)
Goditja nga nxehtësia është sëmundja më e rëndë e lidhur me të nxehtin. Kjo ndodh kur trupi nuk mund ta kontrollojë më temperaturën e vet: temperatura e trupit rritet me shpejtësi, mekanizmi i djersitjes nuk funksionon dhe trupi nuk është në gjendje të ftohet. Kur ndodh goditja nga nxehtësia, temperatura e trupit mund të rritet në mbi 40 gradë celsius ose më shumë brenda 10 deri në 15 minutash dhe më pas të shkaktojë dëmtim të organeve jetike apo edhe vdekje. Për të parandaluar goditjen nga nxehtësia, duhet të vishni rroba të lirshme, të pini më shumë ujë dhe të shmangni aktivitetet e rënda në mot të nxehtë.(Artan)
