
Foto nga VCG
Rreth një milion persona aplikuan për azil në vendet anëtare të BE-së në vitin 2022 dhe Gjermania ka kryesuar listën e vendeve për të cilat aplikohen. Agjencia e Azilit e BE-së (EUAA) njoftoi se shifra shënon një rritje prej afërsisht 50% krahasuar me vitin 2021 në të ashtuquajturat vende të BE+, duke përfshirë Islandën, Lihtenshtejnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, shkruan “ATSH”.
Nga afro një milion aplikime për azil të dorëzuara vitin e kaluar, shumica e emigrantëve janë pranuar nga Gjermania (244.000), Franca (156.000), Spanja (118.000), Austria (109.000) dhe Italia (84.000), duke arritur në 996.000 aplikime.
Pavarësisht rritjes së konsiderueshme, shifrat rekord të azilit në Evropë në vitin 2015 (1.4 milionë) dhe 2016 (1.3 milionë) nuk janë tejkaluar.
“Megjithatë, vendet individuale të BE-së regjistruan numrin më të lartë të aplikimeve, që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave pan-evropiane në vitin 2008, duke përfshirë Austrinë, Francën, Spanjën dhe Portugalinë”, bëri të ditur EUAA.
Shumica e aplikimeve janë kryer nga individë nga Siria, Afganistani, Turqia, Venezuela dhe Kolumbia.
Rreth 42.000 fëmijë dhe të mitur të pashoqëruar ishin në mesin e aplikantëve, numri më i lartë që nga viti 2016, me gati dy të tretat e tyre që vinin nga Afganistani ose Siria.
Shifrat e vitit 2022 nuk përfshijnë rreth 4 milionë refugjatët e Ukrainës, të cilët nuk duhet të kalojnë nëpër procedura të gjera azili. (Elona)
