
Foto nga VCG
Kompanitë e mëdha të teknologjisë, ndaj të cilave Bashkimi Evropian do të zbatojë rregulla strikte, janë mes të tjerash “Google”, “Apple”, “Meta” dhe “Microsoft”.
Anëtari i Komisionit Evropian (KE), Thuerry Breton, në njoftimin e bërë në rrjetet sociale, tregoi për kompanitë që plotësojnë kriteret e “portierit” sipas Ligjit të Tregjeve Digjitale.
Sipas ligjit të BE-së, i cili u miratua vitin e kaluar dhe do të shkaktojë ndryshime në aktivitetet e platformave digjitale, do të zbatohen rregulla të reja për të kufizuar fuqinë e tregut të platformave digjitale veçanërisht të atyre të mëdha, shkruan “ATSH”.
Në kuadër të kësaj, platformat e mëdha që operojnë në Evropë me një vlerë tregu prej të paktën 75 miliardë euro dhe që arrijnë mbi 45 milionë përdorues do të quhen “portierë”.
Këto kompani teknologjike dhe platforma digjitale do t’i nënshtrohen rregullave më të rrepta se të tjerat. Platformat e mëdha do të pengohen të vendosin shërbimet e tyre të ndryshme përpara shërbimeve të ngjashme të konkurrentëve të tyre. Disa aktivitete të kompanive të mëdha mund të ndërpriten nëse nuk janë në përputhje me rregullat e përcaktuara të tregut.
Kompanitë në pozicionin e “portierit” mund të gjobiten deri në 10 për qind të xhiros së tyre globale nëse shkelin rregullat. Planifikohet që rregullat e reja të zbatohen në mars të vitit 2024. (Elona)
