Kryeministri britanik: Kemi rikthyer 2 mijë shqiptarë
2023-07-06 11:34:21

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka deklaruar se qeveria e tij ka rikthyer 2 mijë emigrantë shqiptarë që qëndronin në mënyrë të paligjshme në Britani.

Sunak është pyetur nga deputetët në seancën e parlamentit se cili ishte plani i tij për të ndaluar emigrantët që vijnë me gomone për në Mbretërinë e Bashkuar dhe ai në këtë rast përmendi marrëveshjen e nënshkruar me kryeministrin shqiptar Edi Rama si një nga masat për të parandaluar emigracionin e paligjshëm, bën të ditur “RTSH”.

Të dhënat e fundit tregojnë se që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë në dhjetor të vitit 2022 deri në fund të majit të këtij viti, Britania e Madhe ka kthyer në Shqipëri 1788 shtetas shqiptarë. Megjithatë, kjo shifër përfshin edhe ata që kanë probleme me drejtësinë dhe njerëzit që janë kthyer vullnetarisht në Shqipëri, jo vetëm emigrantët që kanë hyrë ilegalisht nën Mbretërinë e Bashkuar. (Elona)