Hekurudha gjermane përdor inteligjencën artificiale për transportin
2023-07-06 11:13:43

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Shërbimi Hekurudhor gjerman, “Deutsche Bahn” (DB), njoftoi se do të përdorë aplikacione të inteligjencës artificiale për transportin e produkteve në të gjithë Gjermaninë.  

Sistemet e bazuara në vendndodhje duhet të montohen në infrastrukturë në mënyrë që trenat të mund të regjistrohen nga disa kënde dhe më pas të skanohen nga softueri i inteligjencës artificiale, bën të ditur “DPA”, citon “ATSH”.  

“Aplikacioni bën të mundur zbulimin e dëmtimit të trenave në një fazë të hershme. Nga ana tjetër, kjo gjithashtu ndihmon në riparimin e vagonëve në mënyrë më efikase dhe të shpejtë”, - bëri të ditur Shërbimi Hekurudhor gjerman.  

Lëndët e para industriale, si metali ose skrapi, gjithashtu mund të identifikohen dhe klasifikohen më shpejt.  

“Inteligjenca artificiale do të bëhet menjëherë pjesë integrale e operacioneve tona. Ajo do të ndihmojë gjithashtu shërbimin kombëtar hekurudhor që të bëhet më miqësor ndaj klimës”,- tha drejtoresha e DB-së, Sigrid Nikutta.  

Ura e parë e kamerës u testua fillimisht në një oborr në qytetin bavarez të Nurembergut në vitin 2017. Tani atje ndodhen 13 ura kamerash dhe në shtatë vendndodhje të tjera “DB Cargo” në Gjermani.  

“DB”-ja bëri të ditur se ato regjistrojnë rreth 300.000 imazhe gjatë afro 10.000 rrugëve në ditë, të cilat më pas analizohen nga softueri i inteligjencës artificiale. Imazhet ofrojnë informacion edhe për gjendjen e frenave të trenave. (Elona)