“Meta” do të hedhë një treg një aplikacion që do të rivalizojë “Twitter”-in
2023-07-06 11:51:43

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kompania “Meta” do të nxjerrë në treg një aplikacion të ri të quajtur “Threads”, i cili do të rivalizojë aplikacionin “Twitter”. Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi u prit me kritika njoftimi i pronarit të “Twitter”-it, Elon Musk, se do të vendoste një tavan të përkohshëm për numrin e mesazheve që mund të lexojnë përdoruesit në këtë rrjet, shkruan “Panorama”.

Aplikacioni “Threads” pritet të bëhet i disponueshëm për publikun të enjten dhe do t’u mundësojë përdoruesve që të transferojnë ndjekësit e tyre nga rrjeti tjetër “Instagram”, duke mbajtur emrin aktual të përdoruesit.

Ky aplikacion i ri përfaqëson një sfidë të drejtpërdrejtë për “Twitter”-in, që është përballur me debate të shumta qëkur Elon Musk bleu kompaninë për 44 miliardë dollarë në vitin 2022.

Javën e kaluar, miliarderi që ka në pronësi edhe kompaninë “Tesla”, njoftoi një sërë kufizimesh të reja në aplikacion, duke vendosur një tavan për numrin e mesazheve që mund të shikojnë përdoruesit brenda një dite, duke shkaktuar reagime të shumta nga përdoruesit e platformës. (Elona)