
Foto nga VCG
Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FFA) ka certifikuar testimin e “Model A”, makina e parë fluturuese që mund të drejtohet edhe në rrugë publike dhe të parkohet si një makinë e zakonshme.
“ALEF Automotive” bëri të ditur se kjo makinë ka aftësi për ngritje dhe ulje. Ajo mban vetëm dy pasagjerë dhe mund të përshkojë një distancë prej 320 kilometrash në rrugë dhe 177 kilometra në ajër, shkruan “RTSH”.
Ndërtimi i makinës ka filluar në vitin 2015. Kompania e ka vendosur çmimin e automjetit 300.000 dollarë, me dorëzimin e parë të planifikuar për në fund të vitit 2025.
FAA-ja konfirmoi se i ka lëshuar kompanisë një certifikatë speciale të vlefshmërisë ajrore, për përdorim të kufizuar që përfshin ekspozimin, kërkimin dhe zhvillimin.
Sipas FAA-së, “Model A” nuk është mjeti i parë i këtij lloji që merr një certifikatë speciale të vlefshmërisë ajrore, megjithatë, “ALEF” vuri në dukje se automjeti i tij është i ndryshëm për shkak të aftësisë për të operuar si në rrugë ashtu edhe në ajër.
Për të qarkulluar në rrugë, makina ka nevojë për miratim nga Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA). (Elona)
