Ribotim i romanit Shkelqimi dhe renia e Shokut Zylo- foto Bukinist
Kur regjisori Fatmir Koçi mori përsipër të realizonte një film bazuar mbi librin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” me autor Dritëro Agollin me të njëjtin titull, suksesin e materialit letrar e kishte të garantuar, pasi libri prej gjysmë shekulli tregonte mirëpritje të lexuesit: shoku Zylo ishte kthyer në personazh tipik, kishte fituar autominë e tij, kishte hyrë në programet e studimit të letërsisë në shkolla, madje ishte përkthyer dhe botuar jashtë vendit. Vetëm një film mungonte për Zylon, ku lexuesi të gjente dyshen e pandarë Zylo-Demka, sipas perspektivës vizuale dhe konceptuale të gjuhës së kinemasë.
Më në fund kemi shokun Zylo edhe në film, një produksion i vitit 2022, mundësuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Poster i filmit - foto Cineplex
Aktori Aleks Seitaj ne rolin e Zylos- foto ATSH
Thelbi i filmit, sikundër edhe libri, mbështetet te bëmat e shokut Zylo, një burokrat në Ministrinë e Kulturës së viteve ’70.
Shoku Zylo drejton seksionin e problemeve kulturore në administratën e lartë të Tiranës. Për t’u bërë përshtypje eprorëve, shoku Zylo manipulon Demkën, një autor aspirues për të shkruar në emër të tij fjalime dhe raporte fenomenale, të bazuara në teoritë e egra e të pamundura të Zylos.
Ndihmësi i tij, i cili në të njëjtën kohë është një njeri që vihet në lojë, jep llogari në mënyrë të përpiktë dhe të thatë për bëmat dhe gjestet e tij. Shkëndija komike e ka burimin në paraqitjen me objektivitet të sjelljes së tij. Shoku Zylo, i bindur për rëndësinë e detyrës së vet, është gjithmonë në luftë për një përhapje më të mirë të kulturës. Shkrimtari Dritëro Agolli sipas shkrimeve të kritikës, në romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ka trajtuar me një stil satirik, temën të cilën e njohim të gjithë, përmes absurditetit e burokracisë. Tema dhe gjuha e romanit është bërë në atë formë, sa kurrë nuk do ta humbasë orgjinalitetin e saj, por do të jetë gjithmonë universale.
Dritero Agolli - foto Liberale
Dritëro Agolli e ka shkruar romanin në fjalë, pas famës që kishte arritur me librat e parë me poezi dhe pas romanit “Komisari Memo”.
Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” fillimisht u shkrua u publikua në revistën Hosteni në vitin 1972, një revistë periodike e humorit dhe e satirës. Jo më kot romani u prezantua në faqet e revisës së humorit, pasi ai fund e krye përshkohet nga ironia, sarkazma dhe grotesku.
Humori i këtij libri shërbeu si rrufepritëse. Për të përligjur ashpërsinë e kritikës për romanin thuhej: është humor! Pastaj vetë suksesi i pjesëve siguroi që libri të mos cënohej. Shoku Zylo shpëtoi nga suaza e romanit, për t’u bërë një personazh i jetës shqiptare, një qytetar si të tjerët. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet “është një Zylo”, për cilindo që arrin poste të pamerituara, duke përdorur servilizmin, pavarësisht se është i paaftë.
Botimi i pare i romanit - foto liberale
Kur u botua libri, pati vërtet një triumf të tij në Tiranë.
Sa i takon filmit në rolet kryesore në filmin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” janë aktorët Aleks Seitaj, Amos Muji Zaharia, Kastriot Çaushi, Petrit Malaj, Donald Shehu, Enisa Hysa, Jorida Meta, Xhoana Karaj, Kastriot Çipi, Mateo Llupa, Endri Çela, Sokol Angjeli, Armand Xhuli, Samuel Vargu, Armin Vargu. Ky film i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë është bashkëprodhim me shtëpinë filmike “Circle Production”, me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe shtëpinë filmike “Kino oko” nga Maqedonia e Veriut.
Neritana Kraja