
Hidekatu Fujikura në një intervistë(Foto:CGTN)
Shumica e banorëve të Fukushimës janë thellësisht të shqetësuar rreth lëshimit të ujit të ndotur bërthamor, duke shpresuar se qeveria do ta tërheqë vendimin, sipas një gazetari të njohur vendor.
Hidekatu Fujikura ka lindur e është rritur në Fukushimë dhe punon në një gazetë vendore. Gazetari 71-vjeçar është ende i përkushtuar për të paraqitur pikëpamjet e banorëve të Fukushimës, ekspertëve dhe shkencëtarëve që janë kundër planit të lëshimit të ujit të ndotur bërthamor.
"Si ndihen shoqata e peshkimit dhe peshkatarët që gjithmonë e kanë kundërshtuar planin e hedhjes në det dhe si do ta përmbushin qeveria japoneze dhe Kompania e Energjisë Elektrike e Tokios (TEPCO) premtimin e shkruar të bërë tetë vjet më parë se nuk do ta lëshonin ujin e ndotur në det pa lejen e njerëzve që punojnë në peshkim dhe fusha të tjera të rëndësishme? Këto janë çështjet për të cilat banorët e Fukushimës janë më të shqetësuar tani," u shpreh Fujikura në një intervistë të fundit.

Depozita të ruajtjes së ujit të ndotur bërthamor në Centralin Bërthamor të Fukushimës, mars 2023. (Foto:CGTN)
Në prill 2021, qeveria japoneze njoftoi vendimin për ta lëshuar ujin e ndotur të centralit bërthamor të Fukushimës në det, gjë që shkaktoi shqetësim dhe kundërshtim të fortë nga banorët anembanë Japonisë, pa përjashtuar sigurisht ata të Fukushimës.
Fujikura ka intervistuar dhjetëra ekspertë e shkencëtarë, si edhe banorë dhe peshkatarë, duke shpresuar se qeveria do të dëgjojë zërin e popullit dhe do ta tërheqë vendimin.
"Çdo sondazh tregon që më tepër se 60 për qind e njerëzve janë shumë të shqetësuar për këtë. 'Fukushima Minpo' dhe disa gazeta private kanë publikuar të gjitha rezultatet e tyre të sondazhit. Shumica e njerëzve janë shumë të shqetësuar. Shpresoj se qeveria mund të dëgjojë zërat e tyre dhe ta trajtojë çështjen me kujdes," vuri në dukje Fujikura.

Protestuesit përpara Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, qershor 2023. (Foto:CGTN)
Sipas tij, numri i banorëve të Fukushimës që u larguan për strehim në vende të tjera pas aksidentit bërthamor të Fukushimës ishte shumë më i madh se numri i njoftuar nga Agjencia e Rindërtimit, e ngritur nga qeveria më 2012 për të koordinuar përpjekjet e rindërtimit lidhur me tërmetin e cunamin dhe katastrofën bërthamore të Fukushimës. Ai beson se heqja e ujit bërthamor sa më shpejt të jetë e mundur është bërë "përparësia kryesore" e qeverisë, me qëllim që të falsifikohet rimëkëmbja pas katastrofës.
"Agjencia e Rindërtimit e përcaktoi numrin e njerëzve që kërkonin strehim në rreth 30 000, por nuk përfshiu ata që nuk kanë ndër mend të kthehen në shtëpi. Sipas një sondazhi të kryer nga Agjencia e Rindërtimit, një pjesë e madhe e njerëzve që janë strehuar gjetkë, nuk duan të kthehen në qytetin e tyre, duke përfshirë qytetet Okuma, Futaba, Namie. Pse? Sepse edhe nëse kthehen, nuk ka punë, nuk ka supermarkete afër, nuk ka vend për të blerë gjëra. Toka që është kultivuar për breza nuk mund të përdoret më për bujqësi. Nuk mund të jetojnë në qytetin e tyre. Aksidenti bërthamor që ndodhi 12 vjet më parë nuk përfundon kurrë. Qeveria po bën përpjekje për të krijuar iluzionin se aksidenti bërthamor ka mbaruar. Rindërtimi që po bëjnë, është një pa pjesëmarrjen popullore," tha Fujikura.

Anije peshkimi në një port në Fukushimë, 3 korrik 2023.(Foto:CGTN)
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) Rafael Grossi filloi vizitën e tij katërditore në Japoni të martën dhe u takua me kryeministrin japonez Fumio Kishida, për të paraqitur raportin përfundimtar të grupit të punës të IAEA-së mbi Sistemin e Përparuar të Përpunimit të Lëngjeve (ALPS), i propozuar në planin e lëshimit të qeverisë japoneze.
Sipas raportit, shqyrtimi i sigurisë i agjencisë ka arritur në përfundimin se planet e Japonisë për të lëshuar në det ujin e trajtuar të centralit bërthamor të Fukushimës janë në përputhje me standardet e sigurisë të IAEA-së. Në të thuhet se lëshimi i ujit të trajtuar do të kenë një ndikim radiologjik të papërfillshëm për njerëzit dhe mjedisin. Por Grosi vuri në dukje në parathënien e raportit se ky dokument nuk është rekomandim ose miratim i politikës së Japonisë.(Artan)
