Shoqata e prodhuesve të bukës, propozime për çmimin e energjisë
2023-07-05 10:23:53

Furrë buke (Foto Monitor)

Furrë buke (Foto Monitor)

Prej disa muajsh Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i është kthyer debatit të kahershëm për mundësinë e ndarjes së  tarifës së energjisë elektrike të furrave të bukës  nga prodhimet e tjera të brumit dhe të pastiçerive. Kryetari i Shoqatës Gëzim Peshkopia deklaroi  për mediat se mosnjohja e ndarjes së furrave të bukës në 2 ambiente me 2 sahate po nxit mërzitje dhe konflikt të prodhuesit. Peshkopia tha se prej vitit 2018 prodhuesit e bukës operojnë me 2 sahate, propozim i Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) dhe OSHEE-së i miratuar nga Entit Rregullator të energjisë (ERE). Tashmë prej gati 2 muaj mes prodhuesve të bukës dhe ERE, FSHU kanë nisur debatet ku nga institucionet shtetërore kërkohet që tarifa e subvencionuar prej 7,6 lekë të paguhet vetëm nga furrat që prodhojnë bukë masive. ERE dhe FSHU kërkojnë që furrat që në prodhimin e tyre kanë produkte të tjera të brumit të paguajnë tarifën prej 14 lekë për kwh ose të dalin në tregun e liberalizuar. Çmimi i energjisë për bizneset e tjera në tregun e lirë është 18 lekë për kwh. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave thekson se ERE ka ndryshuar kushtet e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme dhe pa dijeninë e tyre. Sipas tij kjo gjë nuk është e zbatueshme, veçanërisht pas 4 vitesh procedurë të vendosjes së dy sahateve. Pasi kjo do të kërkonte jo vetëm objekte të ndara, por dy certifikata pronësie, dy licenca nga tatimet si dhe kushte të tjera plotësuese nga AKU-ja, për të dy ambientet.

Kryetari i Shoqatës Gezim Peshkopia (Foto RTSH 24 )

Kryetari i Shoqatës Gezim Peshkopia (Foto RTSH 24 )

“Nga kryetari i ERE-s na u tha se nuk ka ndryshuar asnjë kusht i marrëveshjes që ishte bërë, por në fakt kushtet ishin ndryshuar. Ky vendim i marrë njëanshëm dhe pa dijeninë tonë nuk është i zbatueshëm veçanërisht pas 4 vitesh procedurë të vendosjes së dy sahateve pasi kjo nuk do të përkonte jo vetëm me objekte të ndara por dhe dy certifikata pronësie, dy licenca nga tatimet si dhe kushte të tjera plotësuese nga AKU për të dy ambientet. Nga përvoja e deritanishme me gjithë përpjekjet tona përsëri ne kuptojmë që ka një ngërç dhe nxitje artificiale për të krijuar precedent mërzitjeje dhe pakënaqësie. Ne si shoqatë i përmbahemi propozimit që kemi bërë: 1.Furrat e bukës që prodhojnë dhe shesin bukë të jenë në ambient fizik të ndarë pa certifikatë pronësie dhe me sahat matës të veçantë, me tarifimin 7.6 lekë. 2.Furrat që prodhojnë bukë dhe prodhime brumi, të kenë tarifimin alternative 9.5 lekë ose me grup të përbashkët. 3.Të caktohet dhe për prodhimin dhe shitjen e pastiçerisë dhe brumërave ku nuk ka prodhim buke, të jetë me tarifimin 140 lekë.”- thotë Peshkopia.

Prodhuesit propozojnë që për furrat e bukës që prodhojnë e shesin bukë, të jenë në ambient fizik të ndarë (Pa certifikatë pronësie) dhe me sahat matës të veçantë, me tarifimin 7.6 lek/këh. Për furrat që prodhojnë buke dhe prodhime brumi, të kenë tarifimin alternativ 9.5 lek/ këh (ose të studiohet tarifa e ndërmjetme me grup të përbashkët). Ndërsa prodhimi dhe shitja e pastiçerisë dhe brumërave ku nuk ka prodhim buke, të jetë me tarifimin 14 lek/këh.

“Me gjendjen e krijuar, ne i kërkojmë qeverisë që ta marrë vetë në dorë situatën dhe kemi besim se kjo do të zgjidhet, për këtë i kemi kërkuar takim zv/kryeministres dhe ministres së infrastrukturës dhe energjisë, Balluku. Ne i kërkojmë që është ashtu siç janë ndihmuar dhe sektorët e tjerë të ekonomisë të ketë një vëmëndje më të madhe edhe ndaj prodhuesve të bukës, të këtij sektori kaq jetik të prodhimit artizanal, me vështirësi të shumta që solli pandemia dhe rritja e çmimeve të përbërësve të bukës dhe veçanërisht me mungesën e theksuar të punonjësve dhe specialistëve të bukës, pastiçerisë dhe brumërave.”- thotë Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave.

Prodhues buke (Foto Scan Tv)

Prodhues buke (Foto Scan Tv)

Sipas tij  është kërkuar edhe ndërhyrja nga institucionet për të ulur TVSH-në e bukës.

“Situata e tanishme kërkon një opinion lidhur me këto problematika. Duhet që neve të gjithë të jemi të bindur që Shqipëria është i vetmi vend në Europë që bën prodhim artizanal. Neve mbështetemi në kulturën dhe traditën e popullit tonë, bukën që kanë bërë nënat dhe amvisat dhe gjyshet tona. Asaj tradite neve i vazhdojmë. Nëse do ketë vështirësi në këtë rrugë atëherë do të futen edhe linja të tjera prodhimi siç janë në vendet e tjera. Në Francë, Angli, Gjermani apo Itali është shqetësuese sepse prodhimi artizanal për shumë arsye është në vështirësi me gjithë që ata i kanë kushtuar tepër rëndësi mbajtjes së kësaj linje duke krijuar edhe favorizime. Ata e kanë TVSH zero, madje janë ndihmuar në kushtet e pandemisë edhe në kushtet e rritjes së produkteve të përbërësve të bukës, kurse ne TVSH-në e kemi 205. I kemi kërkuar insitutucioneve dhe shpresojmë që do të gjendet një mundësi edhe për ta ulur TVSH e bukës. Por në situatën e korentit shpresojmë që qeveria do të ndërhyjë për ta rregulluar këtë gjendje, këtë ngërc që është krijuar. Është krijuar artificialisht, vendosja e dy sahateve u kundërshtua nga ne sepse edhe kërkojnë investim por në të njëjtën kohë ne parashikonim edhe problematikat ashtu siç doli.”- shprehet  Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave.

Furnizuesi i Shërbimit Universal ka kërkuar diferencimin e çmimit për tarifën e energjisë me qëllim lehtësimin e kostove ndaj prodhuesve të bukës masive dhe mosndryshimit të çmimit për konsumatorët.