Krijimi i urës ndërkombëtare të shkëmbimeve kulturore
2023-07-05 12:56:28


Foto nga VCG

Të rinjtë janë forca krijuese plot energji dhe përbëjnë bazën e shkëmbimeve të qytetërimeve botërore. Universiada  e 31-të Botërore, që do të çelet në fund të korrikut në Chengdu të Kinës, ofron një platformë të shkëmbimeve të të rinjve të botës.

Eugeniusz Puzan, zyrtar i delegacionit të Polonisë në këtë universiadë, shprehu dëshirën e tij: "Jemi rreth 300 veta, duke përfshirë sportistë, funksionarë dhe trajnerë. Ne, sigurisht, kërkojmë medalje, por gjithashtu duam edhe të jemi në kontakt me kulturën, me vendin, me njerëzit."

Zv.ministri i Arsimit i Kinës Wang Jiayi tha:

"Ne do ta marrim universiadën si një mundësi dhe në uebsajtin  zyrtar të saj do të çelim rubrikën 'Programi i gazetarëve të rinj' . Kjo rubrikë do të ketë në fokus temat për të cilat janë të interesuar studentët. Aty studentët nga vende të ndryshme mund të zhvillojnë shkëmbime për të nxitur formimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të rinisë botërore."

Historia e njerëzimit është historia e zhvillimit të qytetërimeve të ndryshme. Shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve të ndryshme kanë sjellë mundësi për përparimin e njerëzimit. Qysh nga lashtësia, Kina ka formuar gradualisht një koncept qytetërimi me diversitet, përfshirje e mësim të ndërsjellë, nëpërmjet shkëmbimeve miqësore me vende e qytetërime të ndryshme.

Eike Schmidt, drejtori i Gallerisë "Uffizi" në Itali, shprehet:

"Në Rilindje, në fakt, kanë ekzistuar kontaktet e para kulturore nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit ndërmjet Italisë dhe Kinës. Këtë admirim për Kinën ne e shohim tashmë në Rilindjen fiorentine. Kjo është një marrëdhënie që buroi para disa shekujve, dhe Italia, ashtu si Kina, është një vend që ka mijëra vjet histori dhe gjendet në një moment kur njerëzit shikojnë në mënyrë aktive traditën, për ta ruajtur atë për të ardhmen dhe për ta kombinuar me inovacionin."

Zv.drejtori i Akademisë Kineze të Historisë Li Guoqiang u shpreh:

"Baza e shpirtit të kombit kinez është kërkimi i paqes dhe i harmonisë. Kjo është në gjenet tona. Botëkuptimi kinez përmban tiparin e 'kulturës harmonike'. Ne mbajmë gjithmonë një qëndrim të hapur dhe përfshirës ndaj kulturave të huaja."

Foto nga VCG

Në mars të këtij viti, Kina propozoi për herë të parë Nismën e Qytetërimit Global, një nga përmbajtjet kryesore të së cilës është "forcimi i shkëmbimeve dhe bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar", duke mbrojtur integrimin kulturor dhe lidhjet njerëzore ndërmjet vendeve të ndryshme. Qendra për Mësimin e Ndërsjellë ndërmjet Qytetërimeve Kinë-Greqi, e krijuar në shkurt të këtij viti, është një model për shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë mes dy qytetërimeve.

Lidhur me këtë nismë, drejtori i Qendrës për Mësimin e Ndërsjellë ndërmjet Qytetërimeve Stelios Virvidakis theksoi:

"Imagjinoni që çdo qytetërim është si një pasqyrë e qytetërimit tjetër, dhe ne ndiejmë se jemi miq. E dini, Aristoteli thotë diku se një mik është një tjetër vetvete, kështu që miqtë kinezë janë një tjetër vetvete për ne."

Vicentiu Gheorghe, kryetari i nderit i Shoqatës "ChinaRo", vuri në dukje:

"Me shkëmbimet kulturore palët e ndryshme mund të njohin historinë, kulturën e fenë, mund të nxitin mirëkuptimin e të shmangin mosmarrëveshjet, si edhe mund të arrijnë mendime të përbashkëta. Vetëm nëpërmjet shkëmbimeve kulturore, njerëzit nga vende të ndryshme, në nivele të ndryshme zhvillimit, me histori,kulturë e fe të ndryshme mund të shtojnë besimin e ndërsjellë dhe të përpiqen të realizojnë qëllimin e përbashkët. "

Marsela Musabelliu, drejtorja e Institutit Shqiptar të Globalizimit, vëren:

"Një perspektivë globale dhe një perspektivë ndërkulturore mund të rrisin tolerancën dhe mirëkuptimin. Përfundimisht ne do të kuptojmë se, pavarësisht se ku jemi apo nga vijmë, të gjithë jemi njësoj dhe, sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më shpejt njerëzimi do të bashkohet."

Kassym-Jomart Tokayev, presidenti i Kazakistanit, tha:

"Besohet fuqimisht se shkëmbimet dhe lidhjet njerëzore janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Si krerë të shteteve tona, ne duhet të bëjmë gjithçka për të nxitur këto lloj shkëmbimesh, për të bashkuar popujt tanë, sepse kemi fate të përbashkëta historike."