
Foto nga VCG
1 milion euro janë mbledhur për policin francez, i cili u bë shkak për trazirat mbarëkombëtare pasi vrau një adoleshent. Më shumë se 40.000 persona kanë dhënë para në apelin e nisur nga një bloger i ekstremit të djathtë në faqen e internetit “Gofundme.com”, shkruan “Top Channel”.
Ky apel ka grumbulluar dukshëm më shumë para sesa që janë dhuruar për familjen e 17-vjeçarit të vrarë, Nahelit, me origjinë nga Afrika e Veriut. Deri tani, për ta janë grumbulluar 200 mijë euro.
Gjyshja e Nahelit u shpreh zemërthyer për këto donacione për policin.
“Ai ia mori jetën nipit tim. Ky njeri duhet të paguajë njësoj si të gjithë”,- tha ajo për kanalin “BFM” më 2 korrik. “Unë kam besim në sistemin e drejtësisë. Unë besoj në drejtësi”.
Vrasja e Nahelit më 27 qershor në periferi të Parisit ka ekspozuar ndarje të thella politike në Francë.
Shumë figura të krahut të djathtë kanë mbrojtur forcat e sigurisë, ndërsa ata të majtë e shohin vrasjen e tij si pasojë të racizmit sistematik në polici.
Trazirat e përhapura që prej atëherë duket se e kanë thelluar këtë ndarje. (Elona)
