NATO i zgjat mandatin me një vit sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg
2023-07-05 11:52:37

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për të zgjatur mandatin e sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg, me një vit tjetër, deri më 1 tetor 2024.

Ky vendim do të miratohet nga krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s në samitin e Vilniusit, bën të ditur “RTSH”.

Aleatët falënderuan shefin e Aleancës për udhëheqjen dhe angazhimin e tij, që ka qenë kritik për ruajtjen e unitetit transatlantik përballë sfidave të pashembullta të sigurisë.

Ndërsa Stoltenberg në fjalën e tij, teksa shprehu nderim për vendimin e aleatëve të NATO-s, tha se aleanca është më e madhe dhe më e rëndësishme se kurrë.

“Jam i nderuar nga vendimi i aleatëve të NATO-s për të zgjatur mandatin tim si sekretar i përgjithshëm. Lidhja transatlantike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut ka siguruar lirinë dhe sigurinë tonë për gati shtatëdhjetë e pesë vjet dhe në një botë më të rrezikshme, aleanca jonë e madhe është më e rëndësishme se kurrë”,- u shpreh ai.

Jens Stoltenberg ka udhëhequr NATO-n për nëntë vjet. Kjo është hera e tretë që Stoltenberg i zgjatet mandati, pasi herën e fundit (2022), mandati i tij u shty për shkak të fillimit të agresionit rus në Ukrainë. (Elona)