Enkeleida Zeko është një ndër gazetaret më profesioniste në gazetarinë sportive. Një nga figurat e spikatura të gazetarisë sportive në televizionet shqiptare, prej vitesh Enkeleida moderon lojën e sportistëve dhe komentet e analistëve të sportit. Gazetarja dhe prezantuesja e emisionit “Fair Play” në Syri TV në një intervistë për Radio Ejani tregon karrierën e saj në gazetari dhe pse zgjodhi pikërisht gazetarinë sportive.
Enkeleida Zeko duke prezantuar Festivalin e 50 te kenges (Foto personale)
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me gazetarinë sportive?
Enkeleida Zeko: Të them të drejtën jam nga ata njerëz që idetë i kam patur të qarta që në shkollën e mesme se çfarë doja të bëhesha dhe çfarë doja të arrija në jetë. Një nga synimet e mia më të rëndësishme ka qenë televizioni. Natyrisht me këtë pasion fillova të ndiqja studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe synimin e kisha gjithmonë që të isha pjesë e televizionit. Në vitin e dytë të fakultetit, si një studente që kishte dhe ambicje për të punuar në televizion, pranë TV Koha në ato vite gjeta vend për të qenë gazetare. Nuk e kisha menduar fare që mund të merrja pjesë dhe të futesha te sektori i sportit. Kjo ishte një rastësi sepse në atë kohë ishte i hapur ky vend, pra nuk kishte gazetar dhe më sugjeruan që të merresha me sportin.
Fillimisht mu duk pak e çuditëshme sepse natyra ime ishte pak e ndrojtur dhe sportin nuk e kisha ndjekur me vëmendje, nuk e kisha parë asnjëherë me syrin e gazetares. Unë e pranova këtë vend pune dhe nisa të vëzhgoja sportin, sepse ndërkohë punoja edhe fillova të mësoja, duke lexuar, duke u përgatitur dhe pak nga pak fillova që ta doja sportin, të dashurohesha me këtë profil të gazetarisë.
Enkeleida Zeko gjate nje eventi (Foto personale)
Në fakultetin e gazetarisë i bënim të gjitha zhanret e gaazetarisë. Ndërkohe që edhe studioja, por nuk kishim arritur akoma tek sektorët specifikë dhe unë kisha filluar punë ndërkohë në televizion. Një nga ish kolegët shumë të nderuar që e kujtoj sepse e kam pasur dhe pedagog dhe e kam respektuar shumë sepse ishte një ikonë e gazetarisë investigative Fatos Baxhaku, në një prej leksioneve të tij na tha se tani unë ju fola për gazetarinë politike, për kronikën, për socialen sesi duhet të veproni, ndërsa për sportin tha është Enkeleida këtu dhe nuk besoj se juve të tjerëve ju intereson. Filloi e qeshura në sallë.
CMG: Si vijoi karriera juaj si gazetare e sportit në televizionet shqiptare?
Enkeleida Zeko: Në vitin 1999 kur unë fillova punë isha reportere dhe gazetare në redaksinë e lajmeve, kryeredaktori im në ato vite Aleksandër Çipa, i cili ishte shumë kërkues dhe përveçse raportonim, bënim dhe kronika si dhe lidhje direkte nga stadiumet dhe aktivitetet e ndryshme sportive. Aty fillova ta ndjeja që kisha njëfarë ndjeshmërie dhe fillova që ta ndiqja sportin dhe të mësoja më shumë në brendësi të tij. Kështu që hap pas hapi në Botërorin e vitit 2002 unë nisa një program sportiv dhe ka qenë aktiviteti i parë ndërkombëtar që kam marrë pjesë edhe si drejtuese me kolegun Gerti Çarçani, për të pasqyruar të gjitha eventet e Botërorit të vitit 2002.
Aty ishte hapi i parë në ekran sepse për një kohë të gjatë kam dashur që të jem edhe gazetare në terren dhe reportere, për të mësuar më mirë dhe për të qenë plotësisht e përgatitur, që kur të dilja në ekran të isha jo vetëm një vajzë e re që mund të ishte e paraqitshme dhe mund ta pëlqente publiku, por dhe një njeri që jepte informacionin apo e mbushte pjesën tjetër të ekranit me atë që duhet të thoshte, dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për mua. Kështu që për mua ky ishte një mësim shumë i mirë dhe këtë ju sugjeroj edhe gazetareve të reja. Të gjithë ata që duhet të marrin eksperiencë nga unë, ju them që mos synoni të dilni në ekran që ditën e parë të punës tuaj, sepse ekrani ndonjëhere të bën që të harrohesh shumë shpejt. Nëse do të ndiqni hapat një nga një dhe do të sakrifikoni vite nga jeta juaj për një profesion dhe për një punë që ju vërtetë e dashuroni dhe doni që të ecni gjatë tek ajo, duhet t’i ngjisni shkallët një nga një për të qenë të sigurt dhe në të ardhmen të krijoni shumë siguri tek vetja për këtë profesion. Unë pas kësaj experience në Botërorin e vitit 2002 vazhdova t’i rikthehesha punës si gazetare dhe reportere edhe për shumë vite.
CMG: Si i kujtoni vitet kur dolët në ekran si gazetare dhe prezantuese e programeve sportive?
Enkeleida Zeko ne nje aktivitet (Foto personale)
Enkeleida Zeko: Në Televizionin Telenorba unë fillova të jepja dhe edicionet informative, isha prezente në ekran në mënyrë sistematike, ku çdo ditë bëja një studio sport dhe të dielave së bashku me kolegun tim në ato vite drejtonim një program sportiv. Kështu që ishin hapa të vegjël, ku më pas në televizionin Telesport, një televizion i dedikuar sportit ishte më profesionale gjithçka sepse aty merreshin të gjithë me sportin ku dhe kolegët ishin më të kualifikuar dhe i kushtohej më tepër vëmendje sportit se në televizionet e tjera. Në televizionin Telesport nisa më pas punën si kryeredaktore e lajmeve dhe pastaj drejtova një emision të titulluar “Futboll Zone”, i cili më krijoi plotësisht sigurinë e një emisioni të përjavshëm dhe që prej atij viti deri sot unë çdo të dielë nuk kam munguar asnjëherë së bëri program sportiv.
CMG: Po vitet kur keni punuar në Televizionin Shqiptar si kanë qenë për ju?
Enkeleida Zeko: Në TVSH unë kalova në vitin 2007 si producente dhe drejtuse e rubrikës sportive, një nga emisionet më të vjetër dhe me traditë. Aty pata fatin të punoj me ikonat e gazetarisë, me njerëz shumë profesionistë dhe që më mësuan shumë rreth televizionit, sportit dhe gjithçkaje tjetër për të kompletuar figurën jo vetëm si gazetare dhe drejtuese, por edhe si njeri sepse unë isha akoma shumë e re dhe kisha shumë nevojë që të pregatitesha në çdo dimension. Aty karriera ime pësoi një hov cilësor me vlerësimet dhe çmimet e ndryshme që mora në ato vite në RTSH. Unë i jam shumë mirënjohëse RTSH-së për çka më dha dhe e kujtoj me shumë nostalgji kohën që kam punuar atje me Vladimir Grillon, Dëfrim Methasanin dhe Bajram Hoxhën. Kam bërë emisione të jashtëzakonshme, që janë në arkivin e RTSH-së, me regjisorë shumë të mirë dhe njerëz që e donin punën pa asnjë lloj interesi.
CMG: Tani që keni mbi dy dekada në fushën e gazetarisë sportive, a jeni e plotësuar profesionalisht apo keni akoma ambicje të tjera?
Enkeleida Zeko: Largimi nga televizioni në fakt më bëri të mendoj shumë gjëra. Vërtetë unë drejtova dhe ngrita një emision siç ishte rubrika sportive, që në ato vite të tranzicionit ku natyrisht edhe televizioni kishte pësuar një rënie, por televizioni filloi të ngrihej në vetvete si një institucion, duke zënë vendin që meritonte në ekranet e shumta shqiptare private që kishin lulëzuar ndërkohë.
Enkeleida Zeko ne interviste per CMG
Largimi nga televizioni më bëri të mendoja për veten dhe çfarë duhet të bëja në jetë, sepse mendova se kishte ardhur fundi i të bërit emisione të të tjerëve. Kështu që mendova të kisha diçka timen dhe krijova programin tim “Fair Play” në vitin 2014 dhe në këtë sezon që po futemi unë bëj 10 vjet që jam autore dhe drejtuese e këtij programi. Kjo ishte një ide që më erdhi dhe që publiku e priti shumë mirë. Fillova në TV News 24 për disa vite, më pas tek Ora News dhe tani në Syri TV. Jam e kënaqur sepse publiku e priti dhe tani programi ka fansat e tij dhe është çdo javë te teleshikuesit, duke pasqyruar të vërtetën.
CMG: Pse vendosët ta titullonit “Fair Play” programin tuaj sportiv?
Enkeleida Zeko: Fair Play është pjesë e lojës së futbollit, më saktë pjesë e sportit në tërësi. Duhet të jesh fair që të bësh sport të ndershëm, sepse një sport i ndershëm është edhe çelësi i të gjithë aktivitetit sportiv. Nëse loja nuk është fair atëhere nuk ka pse të ndiqet. Kam menduar për ta vendosur këtë emër është sepse emisionin nuk e kam parë vetëm si pjesë të sportit, por edhe një filozofi të të menduarit. Besoj se dhe publiku e ka parë si të tillë dhe kjo është arsyeja se përse e ndjek dhe është dashamirës gjithmonë i programit tim.
CMG: Cilat kanë qenë vlerësimet dhe çmimet që keni marrë gjatë karrierës suaj gazetareske?
Enkeleida Zeko: Unë kam marrë disa çmime. Në vitin 2007 jam vlerësuar si drejtuesja e vitit në RTSH, në 2008 kam marrë çmimin “Ismet Bellova” si gazetarja sportive më e mirë, në 2010 programi im “Rubrika Sportive” u cilësua si programi më i mirë i vitit, në atë vit që ishte edhe kampionati botëror në Afrikën e Jugut. Gjithashtu kam marrë çmimin “Imazhi i vitit” dhe më pas kam ndjekur shumë kualifikime jashtë shtetit. Në vitin 2011 isha pjesë e Kampionatit të Futbollit të Femrave në Gjermani, kurse në 2019 isha e ftuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për një program “Fuqizimi i gruas nëpërmjet sportit dhe gazetarisë sportive”. Ky ishte një program i jashtëzakonshëm sepse aty merrnin pjesë 47 shtete, 47 femra të ndryshme dhe isha unë e vetmja nga Shqipëria. Aty ndamë eksperiencat tona, por dhe mësuam që edhe pse vijmë nga vende, kultura dhe besime të ndryshme kemi të gjitha pak a shumë të njëjtin rrugëtim, vështirësitë e një femre në një terren të dominuar përgjithësisht nga meshkujt, dhe forcën tonë e cila na ka bërë që të ecim përpara dhe mos të shikojmë asnjë pengesë. Sporti është edhe mesazh force dhe optimizmi, apo mesazh jete ndryshe. Kjo eksperiencë më ka shërbyer shumë, sepse kam krijuar kontakte në çdo shtet me koleget.
Enkeleida Zeko ne nje event (Foto personale)
CMG: Keni pasur rastin të jeni dhe prezantuese e njërit prej edicioneve të festivalit të këngës në RTSH. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju?
Enkeleida Zeko: Ka qenë një nga eksperiencat më të bukura të jetës. Do ta kujtoj gjithmonë festivalin 50-të e këngës, një festival jubile. Në fakt atë vit drejtuesit e televizionit shqiptar vendosën që meqenëse ishte festivali jubilar ta prezantonin gazetare dhe drejtuese të televizionit dhe më zgjodhën mua. Ishte vërtetë një kënaqësi, ku pata rastin që të punoj me regjisorë, skenaristë dhe personazhe të artit dhe muzikës, të kisha kontakte me njerëz me të cilët në jetën e përditëshme nuk kisha kontakte. Natyrisht kam prezantuar dhe aktivitete të tjera si Festivalin e Këngës për Fëmijë apo evente të tjera artistike, por festivali i këngës mban majën sepse ti shkruhesh në një libër ku historia është shumë e lavdishme, dhe festivali i këngës në RTSH ka një bllok të madh emrash dhe jam e nderuar që është pjesë dhe emri im aty.
CMG: Ju jeni me origjinë nga Gjirokastra, një qytet muze dhe mjaft i vizituar nga turistët. Sapo ka përfunduar dhe Festivali Folklorik Kombëtar në Kalanë e Gjirokastrës, ku ju besoj keni kujtime të bukura
Enkeleida Zeko: Unë jam lindur në Gjirokastër dhe jam pjesë e familjes Zekate, shtëpisë së madhe të Zekatëve, simbolit të Gjirokastrës, shtëpisë që qëndron mbi gjithë Gjirokastrën dhe jam shumë krenare që jam pjesë e asaj familje. Natyrisht e kam ndjekur me shumë vëmendje festivalin folklorik sepse ky festival ka qenë gjithmonë emblema e qytetit tonë. Unë mbaj mend kur kam qenë e vogël, kur rrugët e qytetit mbusheshin me këngëtarë dhe grupe që vinin nga qytete të ndryshme të veshur me kostumet popullore, dhe po t’i shikoje nga lart të dukeshin si ato njollat e bardha në atë qytetin gri. Ne mezi e prisnim që të vinte tetori dhe të zhvillohej festivali folklorik. Gjithmonë mbaj mend në ato vite, halla ime që nuk jeton më, më merrte për dore dhe shkonim bashkë për të ndjekur festivalin në kala. Të them të drejtën nuk e kam ndjekur më edhe pse bashkëshorti më tha që të shkonim në Gjirokastër për të ndjekur festivalin folklorik, por organizimi i festivalit në këtë periudhë nuk është aspak komod sepse është shumë vapë në Gjirokastër.
Unë e kam parë skenografinë dhe më ka pëlqyer dhe ndryshe nga vitet e tjera më pëlqeu sepse kishte nuancat e një ylberi të bukur dhe e parë në një drejtim më dha idenë e një muzgu të parë nga Kalaja e Gjirokastrës ku më ngjalli shumë kujtime. Jam e bindur që festivali folklorik ka pasur sukses dhe dua që Gjirokastra siç është qyteti më i bukur në Ballkan të vazhdojë të marrë vëmendje edhe më shumë të instancave, të Ministrisë së Kulturës për t’i dhënë mundësinë turistëve për të gjetur një gamë më të gjerë se vetë vizitat në qytet dhe të shtëpive muze siç është edhe shtëpia e Zekatëve. Gjirokastra është dashuria ime e patjetërsueshme, e dua pafund dhe familja ime do të jetë gjithmonë mikëpritëse për këdo që vjen atje.
CMG: Ku i keni planifikuar pushimet për këtë verë?
Enkeleida Zeko: Neve një plan e kemi gjithmonë gati dhe nuk e braktisim asnjëherë Shqipërinë për pushimet verore dhe jugu është gjithmonë një destinacion i sigurt për ne. Mbase gjatë rrugës do të krijojmë edhe një hapësirë tjetër pushimesh për një udhëtim të shkurtër diku, por jugun gjithmonë e preferojmë sepse unë jam lindur dhe rritur në Gjirokastër dhe gjithmonë pushimet që e vogël i kam kaluar në jugun e Shqipërisë, në atë det që është i pakrahasuseshëm me asnjë bregdet kudo në Europë të paktën.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese gjithmonë në rrugëtimin tuaj me gazetarinë sportive.
Enkeleida Zeko: Faleminderit, suksese dhe ju sepse radio është dashuri dhe më pëlqen shumë.
Intervistoi: Gazmend Agaj