
Foto nga VCG
Mijëra palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor pas nisjes së operacionit më të madh ushtarak izraelit.
“Rreth 3000 persona janë larguar nga kampi deri tani”,- tha zëvendësguvernatori i Jeninit, Kamal Abu al-Roub, duke shtuar se po merreshin masa për t'i strehuar ata në shkolla dhe strehimore të tjera në Jenin. Shërbimi i shpëtimit të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dha të njëjtën shifër dhe bëri të ditur se priste që eksodi të vazhdonte, mes sugjerimeve nga Izraeli se operacioni mund të zgjasë disa ditë të tjera pas fillimit në orët e para të mëngjesit të së hënës, bën të ditur “RTSH”.
Një ditë më parë, Izraeli ndërmori operacionin më të madh ushtarak të dy dekadave të fundit në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku sulmoi me dronë dhe dërgoi trupa tokësore drejt kampit që e cilëson si bastion të militantëve. Të paktën 10 persona humbën jetën dhe rreth 100 të tjerë u plagosën, 20 prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën.
Kampi u ngrit në vitet 1950 dhe prej shumë kohësh konsiderohet nga Izraeli si qendër terrorizmi, ndërsa palestinezët e cilësojnë si qendër të rezistencës së armatosur.
Qindra luftëtarë të armatosur nga grupet militante, duke përfshirë Hamasin, Xhihadin Islamik dhe Fatahun, janë të vendosur në këtë kamp. (Elona)
